Mikel Shallari, autori i vrasjes së komisarit Artan Cuku, ka marrë statusin e të penduarit të drejtësisë, dhe gjykata ka miratuar akt marrëveshjen e firmosur mes tij dhe prokurorit të çështjes.
Prokurori Henrik Ligori paraqiti sot për miratim në gjykatë akt marrëveshjen për dënimin e tij me 10 vite burg.
Ai është personi i vetëm i arrestuar për ngjarjen, ndërsa ka treguar porositësin e vrasjes, që sipas tij është Blendar Jambelli, i shpallur në kërkim.
Në bazë të Kodit të ri të Procedurës Penale, në momentin kur një i pandehur pranon të bashkëpunojë me prokurorinë me qëllim marrjen e statusit të dënimit, për të lehtësuar pozitën e tij, e gjithë kjo konkludohet në një akt marrëveshje që duhet të zyrtarizohet në gjykatë.
Mikel Shallari, personi që u arrestua vitin e kaluar si i dyshuar për vrasjen e Artan Cukut, gjatë deklarimeve që ka dhënë para hetuesve ka treguar detajet e planit për kryerjen e vrasjes. Ai ka treguar se porositësin për vrasjen e Artan Cukut e kishte takuar përmes kushëririt të tij, i cili kishte thënë se po kërkonin dikë që nuk kishte probleme me ligjin dhe që të mos gjendej lehtë.
Për takimin me porositësin, Shallari ka rrëfyer se pasi ishin ulur në një lokal, ai e kishte urdhëruar mos ta shikonte në fytyrë. “Do të vras po ma përmende emrin. Mbaroje këtë punë”, i kishte dhënë urdhër porositësi.
Në vijim të planit, sipas Mikel Shallarit, atij i ishin dhënë 3500 euro parapagim dhe shuma prej 15 mijë eurosh kur të mbaronte porosinë. Në rrëfimin e tij, Shallari kujton se i ishin dhënë dy pistoleta dhe një makinë.
Diskutime rreth kësaj post