Nga Alma Nikolli
Disa nga fëmijët më të lumtur në 1 Qershorin e djeshëm ishim ne të rriturit që po meziprisnim daljen e Ermal Metës në skenë. Nata e mbrëmshme ishte e nxehtë dhe e ngrohtë.
E nxehtë nga temperaturat dhe e ngrohtë nga ndjesitë. Kështu, për t’i lehtësuar pak të dyja këto njerëzit në shesh pinin birra apo ujë.
Ermali këndoi për rreth 2 orë, luajti piano e disa kitara. Deshi dhe e deshën. Disa u kënaqën, kurse të tjerë panë shtrembër disa që kënaqeshin.
Telefonët nëpër ajër filmuan shumë fragmente që u shijuan më pak për faj të ekraneve të vogla që na pengonin të shikonim kaçurrelat e Ermalit, ama zërin nuk ia pengonte dot asgjë.
Futej direkt në kokat dhe zemrat e kujdo që deshën ta dëgjonin.
Pak pa mbaruar 1 Qershori, Ermali këndoi të fundit këngë dhe festa mbaroi. Pa të shtyra, njerëzit filluan të largohen. Sa më shumë zbrasej sheshi aq më plot dukej.
Plot e përplot me mbeturina. Kanaçe birrash e shishe uji të flakura në secilën pllakë a gur të ardhur nga çdo cep i Shqipërisë. Katastrofike!
E tillë ka qenë pamja në mëngjesin e një 13 qershori në kishën e “Shën Ndout” në Laç. Qindra njerëz kishin kaluar natën mbi gurë, por me të lindur dielli çdo lutje u zbeh.
Mbeturina të gjithëfarëllojshme i tundte një erë e lehtë nëpër ajër, e unë lutesha që këta lutës të ishin pak më të drejtë me natyrën.
Lutesha për një mrekulli…ajo mrekulli nuk ndodhi. E pashë edhe mbrëmë në Tiranë, kishte marrë formën e katastrofës. “Haram” kultura, muzika, dukja, celularët…turp të na vijë!
Diskutime rreth kësaj post