Luigi Di Maio dhe Matteo Salvini, drejtuesit e Lëvizjes 5 Yjet dhe të Ligës (ekstremi i djathtë) njoftuan sot në mbrëmje se kanë arritur një marrëveshje të re për një qeveri koalicioni.
“Të gjitha kushtet u bënë bashkë për një qeveri politike L5Y/Liga”, njoftuan Luigi di Maio dhe Matteo Salvini në një deklaratë të transmetuar nga L5Y pas negociatash të gjata.
“Angazhim, marrëveshje, dëgjim, punë, durim, mirëkuptim, mendje dhe zemër për të mirën e italianëve. Ndoshta ia dolëm më në fund, pas shumë vështirësish, sulmesh, kërcënimesh dhe gënjestrash’’, shtoi Salvini në Facebook.
Presidenti Sergio Mattarella thërriti Carlo Cottarelli, të cilin e kishte ngarkuar për të formuar një qeveri ekspertësh për të udhëhequr vendin drejt zgjedhjeve të reja, por bllokoi formimin e këtij kabineti qeverisës për t’i lënë kohë diskutimeve të reja mes dy partive populiste, të cilat kanë shumicën në Parlament.
Me shumë mundësi, Cottarelli pritet t’ia dorëzojë detyrën presidentit, i cili duhet t’ia japë sërish Giuseppe Conte, juristit rishtar në politikë. Ky i fundit u tërhoq të dielën pas vetos së presidentit për emërimin e Paolo Savona, ekonomistit, kritik i ashpër i euros për drejtimin e Ministrisë së Financave.
Diskutime rreth kësaj post