Nga Mero Baze
Me ish- ambasadorin Aleksandër Arvizu, na u desh të hanim katër dreka lamtumire për largimin e tij. Më 21 qershor 2013, dy ditë para zgjedhjeve që humbi Sali Berisha, Departamenti i Shtetit kishte çuar një notë për letrat kredenciale për ambasadorin e ri që do të vinte në Shqipëri. Ishte Donald Lu. Zëvendësministrja e Jashtme në atë kohë, shpërndau me shpejtësi lajmin nëpër redaksi se SHBA shkarkoi ambasadorin Arvizu, dy ditë para zgjedhjeve, se “ishte kundër Berishës”.
Ambasadori e ruajti qetësinë dhe nuk bëri ndonjë përgënjeshtrim. Të pasnesërmen, Berisha pati një humbje historike, rekordin e së cilës, e theu vetëm Lulzim Basha katër vjet më vonë, por dhe me 240 mijë vota më pak.
Ambasadori Arvizu u largua fiks një vit e gjysëm pas lajmit. Disa herë në fakt mblodhi miq dhe bashkëpunëtorë të tij në Tiranë duke u dhënë dreka lamtumire, por pas disa muajsh duhej t’i takonte përsëri. Problemi ishte banal. Ambasadori Lu ishte emëruar, por nuk po i vinte radha të kalonte në Senat për shkak të një krize shumice që ishte prodhuar nga zgjedhjet, mes republikanëve dhe demokratëve. Ishte si mallkim për Berishën.
Procedura e emërimit të një ambasadori në SHBA është e tillë që nuk përputhet as me dëshirën e dikujt, që mezi pret ta heqë qafe ambasadorin, as me dëshirën e dikujt, që mezi pret tjetrin.
Në rastin e ambasadorit Lu, lajmi më pozitiv i mundshëm për të, përkundër ngazëllimit mbarë-opozitar, është se presidenti Trump ka bërë një mbivlerësim për të, duke e nominuar ambasador në një vend tjetër, ndërkohë që është ende në detyrë, dhe ende nuk është emëruar zyrtarisht ambasadori tjetër në Shqipëri.
Mandati normal përfundon këtë verë, por normalisht një kandidat para se të nominohet nga Presidenti, kalon një procedurë të gjatë burokratike.
Ai kalon ne nje proces verifikimi përsa i përket kualifikimeve të tij, çështjeve financiare, karrierës dhe jetës personale. Dhe ky është vetëm për sa i përket atij që ne e quajmë “Vetting”.
Më pas kandidatura kalon ne Komitetin e Punëve me Jashtë të Senatit, i cili mban një dëgjesë private dhe një publike. Nëse Komiteti e aprovon, nominimi shkon në Senat për aprovim.
Pra, normalisht ambasadori Lu, duhet të kalojë këtë proces, ndërkohë që është nominuar nga Presidenti. Realisht ambasadori Lu, në rastin më të shpejtë mund të iki bashkë me pushimet e verës, në rastin klasik mund të hajë dhe vjeshtën në Shqipëri, ose dhe më shumë, nëse ka ‘fatin’ e ambasadorit Arvizu.
Lajmi i vetëm sot është se presidenti Trump e ka nominuar atë për një detyrë ambasadori, duke lënë me gisht në gojë korin provincial të opozitës, që e përfytyron Shtëpinë e Bardhë si Bashkinë e Kamzës, ku Xhelali vendos për emërimet në raport me dashurinë për Doktorin.
Fakti që presidenti Trump e ka nominuar ambasadorin Lu ndërkohë që është në detyrë, tregon një vlerësim të lartë profesional për punën që ai ka bërë në Shqipëri, dhe sfidën e vështirë në një vend si Kirgizia, ku problemet e SHBA janë shumë konkrete dhe të mëdha, në raport me luksin dhe pushtetin që ka një ambasador i SHBA në Shqipëri. Një ambasador amerikan në Shqipëri sillet si pjesë e shoqërisë pro-amerikane dhe zgjidh hallet tona, ndaj ka aq pushtet. Ne vende si Kirgizia, do të zgjidhë hallet e SHBA me Kirgizinë, dhe natyrisht, është një sfidë reale.
Të vetmit që nuk duhet të gëzoheshin nga ky lajm, ishin pikërisht opozitarët të cilët e lidhin rrotacionin e ambasadorit, me presidentin Trump. Për fat të keq të tyre, presidenti Trump është ashtu siç duhet të jetë presidenti i SHBA, në krahun e një diplomati të aftë dhe që ka përballuar një sfidë të vështirë në Shqipëri.
Por historia groteske e PD me ambasadorët amerikanë nuk është e re. Ata qysh me ambasadorin Jozef Laik në vitin 1995, i cili dha dorëheqjen, gjithmonë kanë ëndërruar zëvendësimin e ambasadorëve, me shpresë se do t’iu vijë dikush që të jetë me ta, dhe asnjëherë nuk u ka ardhur. Pas tij erdhi Mariza Lino, dhe Berisha i dogji flamurin amerikan para syve në selinë e PD, pasi ajo e kishte rrëzuar nga pushteti. Më pas erdhi Limpreht dhe Berisha organizoi mitingje kundër tij, duke e akuzuar si guvernator të Shqipërisë. Më pas erdhi James Xhefri dhe Berisha e akuzoi si mbështetës të mafies së Fatos Nanos. Pas tij Marsi Rais, që e plasi Berishën me heshtjen e saj duke mos thënë kurrë një fjalë të mirë për të.
Pastaj i erdhi radha ambasadorit Uilliam Uithers, një harvardian brilant. Me një kulturë të jashtëzakonshme, shkëlqimi i të cilit verboi sytë e Berishës, me raportet fantastike që u zbuluan nga Wikiliks, ku ai përshkruante me stilin e Xhoisit, manipulimet e zgjedhjeve të Berishës, lidhjet e Lulzim Bashës me banditë në Elbasan, dëshmitë për Shkëlzenin në Gërdec etj.
Shpresa e madhe ishte të ikte ai dhe të vinte dikush tjetër. Erdhi ambasadori Arvizu, dhe pas hutimit të parë që pati më 21 janar, kur sapo kishte ardhur, ja arriti shumë shpejt të bëhet armiku numur 1 i PD-së dhe Berishës. Pastaj u hap legjenda e madhe që lobistët e Berishës kanë gjetur një ambasador të ri, që do të jetë me Berishën. Ishte Donald Lu, ai që sot PD po lutet që mundësisht të iki që nesër. Do ta kenë dhe disa muaj para syve dhe shumë vjet në mendje, duke e mallkuar që u bëri reformën në drejtësi. Pasardhësi i tij, të cilin kanë nisur ta bëjnë pis pa ardhur akoma, do të duhet disa muaj të përshtatet me mbifuqinë që shqiptarët i japin ambasadorit të SHBA në këtë vend, për shkak të pasigurisë që kanë nga pushteti i tyre. Por tradita do të vazhdojë. Edhe “ikjen” e ambasadorit Lu, e lajmëruan një ditë para mitingut, ngaqë nuk kanë me çfarë të gëzohen. Sali Berisha nuk bën dot pa një ambasador amerikan armik, në jetën e tij politike. Do ta ketë dhe atë.
Diskutime rreth kësaj post