Vjedhja në Prokurorinë e Durrësit po merr një përmasë tjetër, duke iu afruar skandalit. Një burim policor nga qyteti bregdetar referon për “Lajme.al” se uniformat blu kanë marrë një informacion operativ, në bazë të të cilit dyshohet se objekt i vjedhjes në zyrat e Prokurorisë ka qenë një shumë e konsiderueshme parash, e përfituar në mënyrë korruptive.
Policia e Durrësit, e cila ka kryer veprimet hetimore që në orët e para të mëngjesit të së Enjtes, ka krijuar disa dyshime mbi vjedhjen e dy zyrave, një të një prokurori, Afrim Shehu dhe një të oficerit të Policisë Gjyqësore që punonte me këtë prokuror.
Në bazë të veprimeve në vendngjarje, policia ka konstatuar se porta kryesore e Prokurorisë nuk rezulton e thyer. Gjithashtu, objekt i grabitësve ka qenë vetëm zyra e prokurorit të “Forcës së Ligjit” dhe oficerit të tij, të cilët po hetojnë tjetërsimin e pronave në bregdetin e Ishmit, ku përfshihet edhe zona e preferuar e Gjirit të Lalëzit.
Në Policinë e Durrësit ka mbërritur një informacion, i natyrës operative, i cili përshkruan se objekt i vjedhjes nuk kanë qenë dosjet hetimore, por një shumë e konsiderueshme parash, në rendin e disa dhjetra mijëra eurove, më konkretisht 80 mijë euro, të cilat janë dhënë në formë rryshfeti.
Gjithësesi, ky është një informacion që mbetet për t’u verifikuar nga ana e Policisë së Durrësit, por edhe të oficerëve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë për Krime të Rënda, të cilët kanë marrë në dorëzim hetimin e rastit.
Në kuadër të kësaj piste, burime nga grupi hetimor deklarojnë, në kushte konfidencialiteti, se do të verifikojnë listën e personave që kanë zhvilluar takim në zyrë me prokurorin dhe oficerin e policisë gjyqësore, zyrat e të cilëve ranë pre e grabitjes.
Gjithashtu, në kuadër të këtij verifikimi, mund të vlerësohet marrja e tabulateve telefonike të dy “të dëmtuarve”, për të parë nëse kanë pasur kontakt me ndonjë person që ka pasur interes, sidomos për hetimin në zhvillim të tjetërsimit të tokave të Ishmit.
Diskutime rreth kësaj post