Prokuroria e Durrësit është vjedhur dy herë brenda pak javësh, duke kthyer një situatë të ngjashme me vitin 1997.
Mesnatën, duke u gdhirë dita e Enjte, Prokuroria e Durrësit ka rënë pre e grabitësve, ende të panjohur. Nga të dhënat e deritanishme, rezulton që grabitësit kanë vjedhur vetëm zyrën e prokurorit Afrim Shehu, e gjendur në katin e katërt të godinës së Akuzës së qytetit bregdetar.
Mesa duket, hajdutët kanë pasur objektiv të paracaktuar, pasi ata nuk kanë prekur zyrën e asnjë prokurori tjetër. Burime nga Prokuroria e Durrësit thanë për “Lajme.al” se zyra e prokurorit Afrim Shehu është bastisur plotësisht, ku kanë marrë të gjithë materialet hetimore që gjendeshin në tavolinën e tij të punës, në kompjuter dhe në kasafortë. Gjithashtu, grabitësit kanë vjedhur edhe zyrën e një oficeri të Policisë Gjyqësore që po punonte me prokurorin Afrim Shehu.
Ky i fundit është pjesë e task-forces “Forca e Ligjit” dhe dosjet në zyrën e tij lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar në Durrës. Prokurori Afrim Shehu u shfaq në publik para dy muajsh, kur prezantoi rezultatet e hetimit për tjetërsimin e tokave në bregun e Ishmit.
Por, sipas burimeve të Prokurorisë së Durrësit, prokurori Shehu e ka pasur këtë dosje për rreth 3 vjet në dorë, duke e zvarritur thuajse përtej afateve ligjore. Madje, për këtë sjellje të “mefshtë”, ai u lëviz para disa muajsh nga njësia Task-Force kundër Korrupsionit.
Ai rikthehet në Task-Forcen kundër korrupsionit sapo në krye të Prokurorisë së Durrësit caktohet Donika Prela. Gjithashtu, me propozimin e Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku, ai caktohet si prokuror në strukturën e re “Forca e Ligjit”.
“Lajme.al” pyeti zyrtarisht në Policinë e Durrësit, për të mësuar detaje mbi vjedhjen e fundit në Prokurorinë e Durrësit. Por nga uniformat blu u tha që “do të dalin së shpejti në konkluzione”.
Ndërkohë, burime policore nga qyteti bregdetar thanë se dosjet e vjedhura në zyrën e prokurorit Shehu kanë lidhje me hetime për korrupsion dhe sidomos me çështjen e tjetërsimit të tokave në bregun e Ishmit.
Të njëjtat burime u shprehën se, në bashkëpunim me prokurorinë, po shohin mundësinë e lidhjes ndërmjet dy vjedhjeve në Prokurorinë e Durrësit. Pak javë më parë, në qendër të qytetit u vodh posta sekrete e kësaj prokurorie ku, ndër të tjera, ishin edhe materiale që i ishin dërguar prokurorit Afrim Shehu.
Diskutime rreth kësaj post