Edi Rama dhe Taulant Balla kanë marrë rolin primar në përplasjen me opozitën, e cila akuzon qeverinë dhe maxhorancës se është e lidhur me kanabizimin e vendit dhe me organizatat kriminale të trafiqeve.
Opozita i mbështet denoncimet e saj në fakte konkrete, të provuara dhe të penalizuara-rasti i Saimir Tahirit, rasti i shefave të Policisë së Vlorës në kërkim, rasti i dyshuar i vëllait të Fatmir Xhafaj, etj, etj.
Ndërsa maxhoranca, pavarësisht se ka shumë mjete në duar, shtetërorë e propagandistikë, u përgjigjet akuzave të opozitës me kundër-akuza të sajuara, në nivelin e qesharakes.
Dy ditët e fundit, fillimit kryeministri Edi Rama e më pas njeriu-hije i tij, Taulant Balla, janë shprehur publikisht se “pas 613 kg kokainë të gjetur në muajin shkurt në Durrës, qëndrojnë eksponentë të lartë të Partisë Demokratike”. Kjo deklaratë, me shumë mundësi, as militantët më të flaktë socialistë nuk mund t’i bindë.
Nëse një version i tillë do të ishte i vërtetë, pra që zyrtarë të PD qëndrojnë pas trafikut ndërkontinental të kokainës, diçka e tillë do të ishte zbuluar shumë shpejt. Qeveria ka në dorë Policinë dhe kontrollon plotësisht edhe Prokurorinë, dy institucionet përgjegjëse për hetimin. Pra, Edi Rama ka pasur dhe ka në dorë “edhe gurin, edhe arrën” në hetimin e kokainës së zbuluar në një kontenier bananesh në Durrës.
Por, deri më tani jo vetëm që nuk ka dalë asnjë provë për porositësit e kokainës, por as nuk duket se qeveria, policia e prokuroria kanë vullnet për të zbuluar të gjithë fijet e këtij trafiku. E, në mungesë të rezultateve hetimore, Edi Rama e Taulant Balla i japin të drejtë vetes që të lëshojnë “mufka politike”, sipas të cilave PD është pas trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Në fakt, kjo duket qartë që është një lëvizje politike, me të cilën qeveria synon të ekuilibrojë sulmet e njëpasnjëshme që vijnë në adresë të saj për lidhjet me narko-trafikun.
Diskutime rreth kësaj post