Kur do të largohet Ambasadori Lu nga Shqipëria?
Kush do ta zëvendësojë?
A do të ndryshojë politika e SHBA ndaj Shqipërisë me ardhjen e një ambasadori të ri?
Zv.ndihmës-sekretari i Shtetit në Detyrë, Matthew Palmer, komenton ekskluzivisht për MAPO: Përparësitë e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri janë reforma në gjyqësor, lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Nuk ndryshojnë me ardhjen e një ambasadori të ri.
Nga Nevila Përndoj
“Do iki edhe për pak muaj. Por nuk iki pa vënë drejtësi në tregun e madh të shoqërisë shqiptare…”, ishte premtimi i ambasadorit amerikan, Donald Lu në daljen e fundit në emisionin popullor, satirik “Portokalli” në Top Channel: “Këshilla ime që kam për ty Edi (Rama) është njësoj si për Lulin (Bashën), për doktorin (Berishën) dhe për Monikën (Kryemadhin), gjithmonë shisni gjërat e gabuara për njerëzit…”.
Ambasadori amerikan është aktori kyç i miratimit të Reformës në Drejtësi dhe është bërë njësh me opinionin publik kur ka bërë presion e shtyrë institucionet shqiptare për arrestimin e “peshqve të mëdhenj”. “Dekriminalizimi” me meritë i njihet Partisë Demokratike, por pa harruar se ishte Donald Lu ai që e mbështeti opozitën dhe i kërkoi kryeministrit Rama, duke ia përmendur me emra para zgjedhjeve lokale të 2015 personat me të kaluar kriminale që ai kishte zgjedhur.
Por si gjithë paraardhësit, edhe Lu nuk i ka shpëtuar vlerësimeve për anshmëri të qëndrimeve të tij. Opozita ka deklaruar se disa prej tyre kanë qenë në mbështetje të kryeministrit Edi Rama. Me hyrjen e presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar të 2017 opozita pati shumë pritshmëri se premtimet elektorale të tij dhe era e ndryshimeve në SHBA do të përfshinte edhe Shqipërinë, madje zërat rreth saj, në mos e bënin të mbaruar ndërprerjen e mandatit të Lu, e jepnin të sigurt një ndryshim 180 gradë të qëndrimeve të selisë në “Rrugën e Elbasanit”. Pothuaj dy muaj para mbarimit të mandatit të tij si ambasador në Tiranë pikëpyetjet dhe komentet rreth pasuesit të tij dhe pozicionimit në raport me forcat politike apo zhvillimet në vend kanë marrë sërish hov. Çfarë do të ndodhë me Reformën në Drejtësi me mbarimin e misionit të Donald Lu në Shqipëri? Kur do të largohet Ambasadori Lu nga Shqipëria? Kush do ta zëvendësojë? A do të ndryshojë politika e SHBA ndaj Shqipërisë me ardhjen e një ambasadori të ri?
Lidhur me këto pyetje, në një prononcim ekskluziv për MAPO , zv.ndihmës-sekretari i Shtetit në Detyrë, Matthew Palmer, u shpreh se “Është planifikuar që Ambasadori Lu të largohet nga Shqipëria këtë verë. Për pyetje lidhur me emërimet presidenciale, ju referojmë në Shtëpinë e Bardhë. Përparësitë e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri nuk ndryshojnë me ardhjen e një ambasadori të ri…”.
Po cilat janë tri prioritete që nuk ndryshojnë? Palmer thekson se “Politika e SHBA në Shqipëri është të mbështetë anëtarësimin e vendit në BE dhe reformat e nevojshme për ta çuar përpara këtë synim. Kjo përfshin mbështetjen për reformën e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe kundërvënien ndaj ekstremizmit të dhunshëm”.
Zv.ndihmës-sekretari i Shtetit në Detyrë thotë se “Departamenti i Shtetit do të vazhdojë të ngrejë zërin në favor të sundimit të ligjit dhe reformës së gjyqësorit dhe kundër përpjekjeve për të manipuluar zbatimin e saj”.
Mesazhi i tij është i qartë. Po aq, sa edhe veprimtaria e deritashme e ambasadorit amerikan, Donald Lu. Politika amerikane nuk ndryshon pas ikjes së tij këtë verë. Pavarësisht emrave amerikanët kanë përparësi tri çështje: Reformën në Drejtësi, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe ekstremizmin.
Në kulmin e debatit për çështjen “Tahiri” dhe “Xhafaj” dhe kur zyrat e partive politike u ngjajnë më shumë zyrave të avokatisë ajo që po merr më shumë rëndësi është se kush është pro Reformës në Drejtësi dhe kush kundër saj. Opinioni publik vendas po e humbet me shpejtësi besimin te vullneti i të dyja krahëve politikë për Reformën në Drejtësi dhe nga ana tjetër, e sheh atë si mundësinë e vetme për ecjen përpara.
Në periudhën e tij shqiptare Donald Lu e pati Reformën në Drejtësi kryefjalën e tij. Në një intervistë për revistën Mapo me rastin e shpalljes prej saj “Njeriu i Vitit” ai do të theksonte se “Politikanët nuk e duan Reformën në Drejtësi”. Disa zvarritje dhe afate kohore të llogaritura keq pa harruar minimin nga politika kanë krijuar nervozitet rreth saj. Në këtë klimë ankthi dhe lufte të nëndheshme dhe me afrimin e mbarimit të mandatit diplomatik të Donald Lu komentet e Departamentit të Shtetit sigurojnë edhe njëherë se Reforma në Drejtësi do të jetë prioritet për ta.
Krimi dhe korrupsioni
Ambasadori amerikan foli me emër e mbiemër për njerëz të dyshuar me rekorde kriminale kryesisht nga pjesa e mazhorancës, duke nisur nga emra deputetësh e përfunduar me kryebashkiakë.
U zhvesh nga petku diplomatik kur futi në skenën e politikës shqiptare nocionin “peshq të mëdhenj” kur donte t’iu referohej emrave të rëndësishëm në politikë dhe jashtë saj, që kishin shkelur ligjin dhe bashkëpunuar me krimin.
Nuk hezitoi të përmendte emra, si: Arbër Çekaj, përgjegjës për trafikimin e 613 kg kokainë, Klement Balili e deri te puna e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Ka folur gjithashtu për 4 klane kriminale dhe 20 familje mafioze që drejtojnë Shqipërinë. Ai ka sjellë pështjellime edhe në debatin politik shqiptar. Është akuzuar nga eksponentë të opozitës si “palë” , kur ai ka mbajtur qëndrime të forta dhe radikale siç ishte domosdoshmëria e miratimit sa më shpejt e Reformës në Drejtësi në Kuvend, apo edhe zgjedhja e kryeprokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, nën tymin e opozitës.
Në çështjen e fundit, atë të vëllait të ministrit Fatmir Xhafaj, i cili është dënuar në Itali për trafik narkotikësh, qëndrimi i ambasadorit Lu pritet me interes të madh.
Deri diku kryeministri Edi Rama tentoi ta “komprometonte” kur e mori si referencë që nuk kishte folur. Ambasadori Lu replikoi menjëherë duke përcjellë mesazhin se çdokush duhet të flasë në emër të vet.
***
Shumëkush ndoshta me naivitet mund të mendojë se në kallamishten politike të vendit tonë kjo kurbë qëndrimesh e ambasadorit amerikan mund të ketë luhatje me ardhjen e ambasadorit të ri. Por deklarata e zëvendës.ndihmës-sekretarit të Shtetit në Detyrë Matthew Palmer na kujton edhe njëherë qartë dhe prerë mëdyshjet tona.
Ai nuk jep përgjigje për emrin e ri që do të vijë. Sepse në fund të fundit politika e jashtme amerikane nuk është çështje emrash, por qëndrimesh. Këtë e mësuam edhe kur në krye të administratës amerikane erdhi Donald Trump. Përpos akuzave shqiptare për sorosizëm të përhapur në vend, apo shumëçka tjetër, SHBA ruajti një angazhim tradicional dhe të pandryshuar me Shqipërinë që dilte përtej këtij debati kallp politik. SHBA synon në thelb gjëra më të rëndësishme, si: forcimi i shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, ecja përpara e Reformës në Drejtësi apo edhe lufta ndaj ekstremizmit…
Këto janë këshillat që do të vijojnë të na japin zyrtarët e lartë të shtetit amerikan, pavarësisht se cili ambasador i përcjell. Përtej raporteve miqësore që mund të krijojnë me politikanë apo e kundërta. Ambasadorët vijnë e ikin në fund të mandatit. Ato që mbeten për Shqipërinë janë politikat e njëjta të SHBA.
* * *
Zëvendës.ndihmës-sekretari i Shtetit në Detyrë, Matthew Palmer: “Përparësitë e SHBA në Shqipëri nuk ndryshojnë me ardhjen e një ambasadori të ri”
Kur do të largohet Ambasadori Lu nga Shqipëria? Kush do ta zëvendësojë?
Është planifikuar që Ambasadori Lu të largohet nga Shqipëria këtë verë. Për pyetje lidhur me emërimet presidenciale, ju referojmë në Shtëpinë e Bardhë.
A do të ndryshojë politika e SHBA ndaj Shqipërisë me ardhjen e një ambasadori të ri?
Politika e SHBA në Shqipëri është të mbështesë anëtarësimin e vendit në BE dhe reformat e nevojshme për ta çuar përpara këtë synim.
Kjo përfshin mbështetjen për reformën e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe kundërvënien ndaj ekstremizmit të dhunshëm.
Departamenti i Shtetit do të vazhdojë të ngrejë zërin në favor të sundimit të ligjit dhe reformës së gjyqësorit dhe kundër përpjekjeve për të manipuluar zbatimin e saj.
Përparësitë e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri nuk ndryshojnë me ardhjen e një ambasadori të ri.
Diskutime rreth kësaj post