Ornela Rrumbullaku është një prokurore e komanduar në Prokurorinë e Durrësit, e cila po trajton disa nga çështjet që kanë një interes të veçantë për Kryeprokuroren e Përkoshhme, Arta Marku. Madje, ishte kjo e fundit që, sapo mori detyrën në krye të institucionit, firmosi lëvizjen e Rrumbullakut nga Kavaja për në Prokurorinë e Durrësit.
Prokurorja Rrumbullaku u ngarkua me tre nga hetimet më mediatike të momentit- hetimin për ekstadimin e “financierit të Habilajve”, Nezar Seitit dhe hetimin për çiftin e prokurorëve Rovena Gashi dhe Dritan Gina.
Kjo zgjedhje nuk duket se ka qenë rastësore. “lajme.al” ka siguruar dokumenta, të cilat konfirmojnë se bashkëshorti i prokurores, Alban Mësonjësi, ka lidhje të ngushta biznesi me ish-deputetë të majtë, të cilët u penalizuan apo që humbën mandatin për shkak “Dekriminalizimit”, proces që drejtohej nga prokurorja Rovena Gashi.
Alban Mësonjësi është bashkëpronar në aktivitetin privat “Instituti Privat i Vuajtjes së Dënimit Sarandë” me shtetasin Adriatik Selami. Ky i fundit është vëllai i ish-deputetit Shkëlqim Selami, i cili humbi mandatin për shkak se prokurorja Rovena Gashi konstatoi se ai ishte në shkelje të ligjit “Për dekriminalizimin”.
Shkëlqim Selami, i cili mori mandatin e deputetit nga Lëvizja Socialiste për Integrim, ndryshoi rrugës dhe u afrua shumë me Partinë Socialiste. Madje, edhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët janë zgjedhur me mbështetjen e PS, votuan kundër ndërprerjes së mandatit të tij, i cili gjithësesi u shkarkua për shkak të numrit më të lartë të votave të opozitës së djathë në KQZ.
Bashkëshorti i prokurores së “hetimeve të rëndësishme” të Prokurorisë së Durrësit, Alban Mësonjësi, ka nisur aktivitetin e përbashkët privat me Adriatik Selamin, vëllain e ish-deputetit Shkëlqim Selami në shtator 2014 dhe vijojnë të jenë ende bashkëpronarë.
Nga një investigim më i thelluar, rezulton se ortaku i Alban Mësonjësit, pra Adriatik Selami, ka pasur lidhje të ngushta biznesi me ish-deputetin Mark Frroku. Po ashtu, ai ka zhvilluar biznes me një njohje të vjetër të Saimir Tahirit, shtetasin Ervin Cenollari, vëllain e ish-kryetarit të minibashkisë së Kombinatit, Krenar Cenollari.
Adriatik Selami ka qenë bashkë-ortak në kompaninë“Energy finance management Shqipëria” me vëllanë e tij, ish-deputetin Shkëlqim Selami, ish-deputetin Mark Frroku dhe Ervin Cenollarin. Ish-deputetët Selami dhe Frroku janë larguar nga kjo kompani në gusht 2013, pak para se ata të merrnin mandatin e deputetit.
Emrat e politikanëve të mësipërm janë lidhur në mënyrë të drejtëpërdrejtë me aktivitetin e prokurores Rovena Gashi, e hetuar tashmë së fundmi nga bashkëshortja e biznesmenit Alban Mësonjësi, prokurorja Ornela Rrumbullaku.
Mark Frroku u arrestua, në bazë të angazhimit të prokurores Rovena Gashi, e cila u vu në kontakt me autoritetet belge dhe këta të fundit ri-aktivizuan një urdhër-kërkimi ndërkombëtar ndaj ish-deputetit, si i akuzuar për një vrasje në Belgjikë në vitin 1999.
Saimir Tahiri, ish-ministër i Brendshëm dhe mik i biznesmenit Ervin Cenollari, është në hetim për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe korrupsion, një hetim i nisur në bazë të të dhënave të siguruara nga Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, e drejtuar nga Rovena Gashi.
Tashmë, kur kohët kanë ndryshuar, Gashi-Gina janë shndërruar në subjekte të hetimit, në bazë të urdhërave, me shumë mundësi politik, të Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku. Dosja e tyre gjatë dy muajve të fundit është hetuar nga prokurorja Ornela Rrumbullaku, bashkëshorti i të cilës ka lidhje të forta biznesi me njerëz të cilët janë penalizuar drejtëpërdrejtë apo tërthorazi nga aktiviteti hetimor i prokurores Rovena Gashi.
Diskutime rreth kësaj post