Agron Xhafaj, vëllai trafikant i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka publikuar paraditen e së enjtes një letër, në të cilën deklaron se, me vullnetin e tij do të shkojë në Itali të vuajë dënimin prej 7 vjet e dy muaj burgim, për pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Në një letër të hapur drejtuar medias, Agron (Geron) Xhafaj e konsideron këtë vendim të tij si një akt moral, për të hequr baltën që po hedhin ndaj tij, por edhe ndaj vëllait të tij, Fatmir Xhafaj.
Është e qartë që orientimi për këtë qëndrim është dhënë nga vëllai i tij, juristi Fatmir Xhafaj. Në këtë mënyrë, vëllezërit Xhafaj synojnë të dalin të larë, të paktën moralisht, nga kjo histori.
Por, nëse vendimi i dënimit nuk do të publikohej, a do të ishin kaq të moralshëm vëllezërit Xhafaj?
Partia Demokratike publikoi javën e kaluar vendimin e Gjykatës së Kasacionit të Italisë, e cila, në vitin 2012, e dënonte Agron Xhafaj me 7 vjet e dy muaj burgim. Ky vendim ekzistonte që prej 5 vitesh, por Agron Xhafaj nuk e ka parë të arsyeshme gjatë gjithë kësaj kohe që të tregonte moralistin brenda trafikantit dhe të dorëzohej tek autoritetet italiane.
Gjithashtu, edhe vëllai i tij, Fatmir Xhafaj, ka qenë në dijeni të këtij vendimi dënimi. Në një konferencë për media, javën e kaluar, ministri i Brendshëm deklaroi se “opozita nuk ka gjetur asgjë të re, pasi vendimi i dënimit është on-line”. Pra, vëllai i madh e ka ditur që Xhafaj i vogël duhej të përballej me prangat italiane.
Por ai, në 5 vjet, pavarësisht dijenisë, e ka mohuar që vëllai, Agron Xhafaj, ka një dënim mbi shpatulla. Madje, disa muaj më parë ai kërkoi, nga salla e parlamentit, që opozita të sillte një shkresë të vetme ku të faktohej që Agron Xhafaj kishte probleme me drejtësinë italiane. Pra, në atë kohë, moralisti i sotëm Fatmir Xhafaj nuk kishte moral?
Këto janë pyetje retorike, të cilat gjithëkush që ndjek zhvillimet në Shqipërië i kupton shumë qartë. Denoncimi publik i opozitës detyroi vëllezërit Xhafaj të reagojnë, për të shpëtuar veten e tyre. Madje, Agron Xhafaj po sakrifikon lirinë e tij vetëm e vetëm që Fatmir Xhafaj të mos humbasë privilegjet shtetërore dhe politike. Kjo, me shpresën që, nëpërmjet ndërhyrjeve të duhura të Fatmir Xhafaj, vëllai i tij të mos vuajë dënimin në Itali.
Diskutime rreth kësaj post