Kolegji i Pavarur i Apelimit e nisi punën e tij me një shkelje të rëndë proceduriale. Ditën e mërkurë, Kolegji kishte njoftuar zhvillimin e seancës për të shqyrtuar ankimin e Komisionerit Publik, i cili kundërshton vendimin e Komisionit të Vetingut për ndërprerjen e procesit të nisur ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
Gjatë seancës së paradites së të mërkurës, rezultoi se Kolegji i Apelimit nuk kishte njoftuar subjektin e rivlerësimit, Adriatik Llalla që ndaj tij do të zhvillohej një seancë gjyqësore. Dhe, natyrisht, për shkak të mungesës së njoftimit, Llalla nuk gjendej i pranishëm në seancë. Në vend të tij, ishte përfaqësuesi ligjor, Sokol Hazizaj.
Në hapje të seancës, kryetari i trupës gjykuese të Kolegjit të Apelimit kërkoi nga avokati nëse subjekti Adriatik Llalla është njoftuar për këtë seancë. Avokati Hazizaj deklaroi se i përfaqësuari prej tij, por as ai vetë nuk kanë marrë dijeni zyrtarisht nga Kolegji i Apelimit për zhvillimin e kësaj seance.
Sipas avokatit, ai është pajisur me një prokurorë nga Adriatik Llalla për të ndjekur të gjithë çështjet ligjore që mund të ketë në vijim ish-Kryeprokurori. Ai ka mësuar në media se ditën e mërkurë, Kolegji i Apelimit kishte seancë për Adriatik Llallën dhe ishte paraqitur. Por, në mungesë të një njoftimi zyrtar nga Kolegji i Apelimit, ai nuk ishte pajisur me një prokurë të posaçme vetëm për këtë çështje.
Pas deklaratave të avokatit, Kolegji i Apelimit u tërhoq për rreth 30 minuta për të marrë një vendim, nëse duhej pranuar në këto kushte avokati Sokol Hazizaj si përfaqësues i Adriatik Llallës.
Në përfundim, trupa gjyqësore e Kolegjit të Apelimit vendosi të shtyjë seancën për të njoftuar zyrtarisht subjektin Adriatik Llalla për zhvillimin e një procesi ndaj tij në këtë institucion, duke pranuar në këtë mënyrë se nisën një proces ndaj tij, por pa e njoftuar dhe pa i dhënë mundësinë për të paraqitur pretendimet e tij.
Pra, Kolegji i Apelimit kishte vendosur që të zhvillonte një proces ligjor, duke shkelur të drejtën e subjektit Adriatik Llalla për të pasur një proces të rregullt ligjor.
Çështja “Llalla” është rasti i parë që po shqyrtohet nga Kolegji i Pavarur i Apelimit. Dhe, me atë që ndodhi të mërkurën, rezultoi qartësisht se kjo strukturë e nisi punën me këmbën e gabuar.
Kolegji i Apelimit pritet të zhvillojë seancën për Adriatik Llallën në dt. 31 Maj 2018, ora 10.00
Diskutime rreth kësaj post