Agron Xhafaj rezulton që, prej vitit 2013, nuk ka kaluar asnjëherë kufirin shqiptar, të paktën zyrtarisht. Vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, është dënuar me 7 vjet e dy muaj burgim në dt. 25 shtator 2012 nga Gjykata e Kasacionit në Itali. Vendim i plotë është zbardhur në fillim të vitit 2013 dhe që prej asaj kohe, Agron (Geron) Xhafaj nuk e ka kaluar asnjëherë traun e kufirit të Republikës së Shqipërisë.
“Lajme.al” ka mësuar në mënyrë ekskluzive lëvizjet e Agron Xhafaj jashtë Shqipërisë. Nga këto të dhëna, rezulton se ai nuk ka guxuar të dalë jashtë territorit të Shqipërisë që kur gjykata më e lartë italiane ka dhënë verdiktin final për dënimin e tij, si i përfshirë në organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike.
Pra, duket qartë që vëllai i Fatmir Xhafaj ka pasur dijeni të plotë se, nëse dilte nga Shqipëria, do të arrestohej. Ndërkohë, po ashtu duket qartë se ai ka qenë i bindur që në Shqipëri nuk kishte asnjë rrezik të prangosej, pasi këtë problem ia zgjidhte vëllai i tij i madh, Fatmir Xhafaj, zyrtar i lartë i maxhorancës, Kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve dhe sot ministër i Brendshëm.
Prej vitit 2013, Agron (Geron) Xhafaj është përfshirë në biznesin e lojërave të fatit dhe ka lëvizur vetëm brenda territorit shqiptar. Ndërkohë që është prezantuar si një biznesmen i suksesshëm, ai, duke qëndruar në Shqipëri, i është shmangur vuajtjes së dënimit në Itali. Gjithashtu, ai nuk rezulton të jetë shpallur asnjëherë në kërkim nga Policia Shqiptare. Për këtë arsye, ai ka vijuar i pashqetësuar aktivitetin e tij, kësaj radhe, të regjistruar në Shqipëri. Pengesën e vetme që ka pasur ishte fakti që nuk mund të dilte nga Shqipëria, qoftë edhe për pushime.
Agron (Geron) Xhafaj është dënuar në vitin 2012 me 7 vjet e 6 muaj burgim. Ky dënim, sipas vëllait të tij, ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, gjendet lehtësisht on-line. Pra, edhe vetë ministri i Brendshëm e di që shtetasi Agron Xhafaj është dënuar. Por, megjithatë, ai nuk ka bërë, sipas detyrimit ligjor, asnjë veprim procedurial për arrestimin e tij apo për nisjen e hetimit pasuror, në kuadër të ligjit “Antimafia”.
Ashtu siç ka raportuar më parë “Lajme.al”, Agron Xhafaj është subjekt i ligjit “Antimafia”. Por, së bashku me të, subjekte të ligjit janë shndërruar automatikisht edhe familjarët e tij të afërt, përfshirë edhe vëllain Fatmir Xhafaj. Mesa duket, kjo është arsyeja që ministri i Brendshëm nuk ka nisur asnjë veprim procedurial në kuadër të ligjit “Antimafia”. Ky rast e bën Shqipërinë një vend të rrallë, ku ministri i Brendshëm, zyrtari më kryesor për luftën kundër krimit, shndërrohet vetë në subjekt kontrolli nga legjislacioni Antimafia.
Diskutime rreth kësaj post