Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, njëkohësisht një prej njerëzve kryesorë të Partisë Socialiste, po sheh këto ditë se si po i rrëshqet toka nën këmbë. Dënimi i vëllait të tij në Itali, por sidomos provat e reja se ai vijon të merret me trafik droge, shumë shpejt mund të presin, politikisht, edhe kokën e vetë Fatmir Xhafajt.
Por kjo situatë ka sjellë pështjellim edhe brenda radhëve të Partisë Socialiste. Fatmir Xhafaj, që prej kohës kur mori drejtimin e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, krijoi një klan të fortë brenda partisë. Ai, nëpërmjet edhe mbështetjes së pakufizuar të ambasadorit amerikan, Donald Lu, arriti të promovonte disa prej deputetëve pranë tij, të cilët nuk shquheshin për ndonjë specifikë domethënëse brenda së majtës.
Dhe pikërisht, këta deputetë “të tij”, sot i kanë dalë në krah. Ulsi Manja, kryetar i Komisionit të Ligjeve dhe Vasilika Hysi, nënkryetare e Kuvendit, janë paraqitur mesditën e së hënës për të kundërshtuar akuzat e Partisë Demokratike mbi një fallsifikim të mundshëm që Fatmir Xhafaj i ka bërë Kodit të Procedurës Penale.
Pa shumë fakte, por me një retorikë politike jo-bindëse, Manja-Hysi deklaruan se sulmi i opozitës ndaj Fatmir Xhafës është sulm ndaj Reformës në Drejtësi. Pra, pasuesit e denjë të ministrit të Brendshëm e konsiderojnë Fatmir Xhafën si një dishepull të drejtësisë në Shqipëri dhe që është kthyer në objekt sulmi, pikërisht për dëshirën e tij të madhe për të forcuar sistemin e drejtësisë në vend.
Por, shumë më ndryshe është prezantuar kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njeriu që shërben për të përcjellë mesazhet e kryetarit dhe kryeministrit Edi Rama. Natyrisht, duke sulmuar edhe ai opozitën, Balla, në fakt kërkoi që kjo histori të zgjidhej nga prokuroria.
Pra, zëri zyrtar i kryetarit të Partisë Socialiste i tregoi Fatmir Xhafaj rrugën drejt prokurorisë. Një sy i vëmendshëm dallon dy qëndrime të kundërta ndërmjet “klanit Xhafaj” në Partinë Socialiste dhe mëkëmbësit të Edi Ramës dhe pasuesve të tij.
Skandali “Xhafaj” duket se, nga një sulm i mirëkuptueshëm i opozitës, po kthehet në një luftë brenda llojit në Partinë Socialiste. Efektet e saj pritet të duken shumë shpejt. Fatmir Xhafaj, me shumë mundësi, do të bëjë aktin “moral” të dorëheqjes. Me largimin e tij, edhe Ulsi Manja, Vasilika Hysi e të tjerë ushtarë të Xhafës, me shumë mundësi do të aneksohen nga punët e rëndësishme të partisë dhe pushtetit.
Diskutime rreth kësaj post