13 prej të dyshuarve si grupi i trafikantit Met Kanani dolën para Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u njohur me akuzat e trafikut të drogës dhe grupit të strukturuar kriminal, raporton TCH.
Në hetimet që përfshinë Greqinë, Turqinë, Bullgarinë por edhe DEA-n amerikane, vetëm në një episod mes kufrit me Bullgarinë dhe Maqedoninë grupit i janë sekuestruar mbi tetë tonë kanabis.
Rasti më i fundit i goditjes së grupit, tha prokurorja Imeraj, ndodhi në 19 mars 2018 , ku u bllokuan 1.1 tonë drogë dhe mes 11 shqiptarëve të arrestuar u kap edhe baroni i drogës Met Kanani.
Ky i fundit shfaqet shpesh në komunikime telefonike me anëtarët duke folur herë shqip, herë anglisht e herë spanjisht.
Pikërisht gjatë këtyre bisedave shfaqet edhe e dashura e Met Kananit, e cila aktualisht është në kërkim. Ajo quhet Serenela dhe në një rast Met Kanani i raporton asaj se Aliu i kishte kërkuar të shkonte në Ekuador.
“Shko!” i thotë Serenela. Komunikimi i fundit me të kërkuarën misterioze ndodhi tre ditë para se Met Kanani të arrestohet në Turqi.
Përgjimi
Serenela: Ti ça do të bësh?
Met Kanani: Unë, ja punë.
Serenela: Do të vazhdosh edhe ca thuaj.
Met Kanani: Punë, punë natë e ditë që të japim pakëz dritë.
Serenela: Inshallah do Zoti të ketë një çikë të drejtë rilindasi.
Diskutime rreth kësaj post