Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, dyshohet se ka kryer një seri shkeljesh ligjore, vetëm e vetëm për të shmangur burgosjen e vëllait të tij. Agron Xhafaj, vëllai i vogël i ministrit të Brendshëm është dënuar në Itali me 7 vjet e dy muaj burgim, si pjesëmarrës në organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike.
Por, falë pushtetit politike dhe në bazë të një seri mekanizmash fallsifikimesh ligjore, Fatmir Xhafaj ka luajtur të gjithë gurët për të mos lejuar prangat italiane në duart e vëllait.
Nga të dhënat e publikuara deri më tani, krijohen dyshime të forta se ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka konsumuar veprat penale të fallsifikimit të dokumentave, korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe shpërdorimit të detyrës. Janë jashtëzakonisht shumë për një zyrtar kaq të lartë.
Fatmir Xhafaj, i cili ka lançuar operacionin “Forca e Ligjit” për të gjetur peshqit e mëdhenj në Shqipëri, shumë shpejt ndoshta mund ta shohi veten si peshkaqen në rrjetë.
“Lajme.al” po rendit shkeljet e dyshuara ligjore të Ministrit të Brendshëm, sipas rendit kronologjik:
– Fallsifikimi i dokumentave- Fatmir Xhafaj ka qenë Kryetar i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi. Ky Komision, ndër të tjera, ka diskutuar edhe ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale. Xhafaj dyshohet se, nëpërmjet fallsifikimit, ka ndryshuar një pikë të nenit për ekstradimet në projektin e miratuar në Komision të Kodit të Procedurës Penale, nëpërmjet të cilës favorizohet drejtëpërdrejtë vëllai i tij.
Sipas dokumentave zyrtarë, rezulton se Komisioni i Reformës ka miratuar projektin për Kodin e Procedurës Penale. Por, rrugës burokratike nga Komisioni i Reformës deri në seancën plenare, ka ndryshuar një pikë, e cila, në fakt nuk ishte miratuar nga deputetët në Komision. Projekti i miratuar në Komision është dërguar për votim në seancë nga kryetari, Fatmir Xhafaj. Pra, ai është personi kryesor i dyshuar për kryerjen e fallsifikimit. Në Kodin Penal, fallsifikimi i dokumentave dënohet deri në 7 vjet burgim (neni 186)
– Korrupsioni- Fallsifikimi i dokumentit parlamentar nga Fatmir Xhafaj dyshohet se është bërë për të favorizuar vëllain e tij, Agron Xhafaj. Pra, nëse provohet dyshimi për fallsifikim, atëherë konstatohet lehtësisht se ky veprim është kryer për një interes thellësisht personal. Kodi Penal, korrupsion e zyrtarë të nivelit të i trajton në nenin 260 të tij dhe parashikon një dënim deri në 12 vjet burgim.
– Shpërdorimi i detyrës- Përveç sa më lart, Fatmir Xhafaj dyshohet se është përgjegjës edhe për faktin që, si Ministër i Brendshëm, e ka ditur faktin që shtetasi Agron Xhafaj është i dënuar dhe nuk ka kryer asnjë veprim procedurial. Si ministër përgjegjës për rendin, është detyra e strukturës që ai drejton që të kryejë arrestimin dhe më pas të përcjellë dokumentacionin për ekstradim pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Por duket qartë që ai nuk ka pasur vullnet të zbatojë ligjin, ndërkohë që Policia nën varësinë e tij nuk ka pasur guxim të arrestojë vëllanë e ministrit. Pra, Fatmir Xhafaj dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, i cili parashikon dënim deri në 7 vjet burgim.
Por, në fakt, dyshohet që Fatmir Xhafaj ka kryer dy herë veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Ai, pasi ka qenë në dijeni që shtetasi Agron Xhafaj është dënuar në Itali për pjesëmarrje në organizatë kriminale, nuk ka referuar në Prokurori materialet për nisjen e hetimit pasuror, në zbatim të ligjit “Antimafia”. Në bazë të këtij ligji, Prokuroria për Krime të Rënda duhet të nisë verifikimin pasuror të personit të dënuar, si edhe të familjarëve të tij të afërt, përfshirë vëllezërit e motrat. Pra, ministri Xhafaj nuk ka referuar në Prokurori material për Agron Xhafaj, pasi, sipas ligjit “Antimafia”, edhe ai vetë do t’i nënshtrohesh verifikimit të pasurisë.
Diskutime rreth kësaj post