Nënë e bir ishin protagonistët e sotëm të rubrikës “Shihemi në Gjyq” në emisionin “E Diela Shqiptare” për shkak të një konflikti për një apartament. Jorgo solli të ëmën, Elenin në seancën e ndërmjetësimit, pasi ajo kërkon ta nxjerrë nga shtëpia.
Ai u martua disa vite më parë dhe jetoi me bashkëshorten në shtëpinë e prindërve të tij. Por kur erdhi në jetë djali i tyre, lindi nevoja për të marrë një banesë tjetër, pasi nuk kishte më mjaftueshëm hapësirë në atë shtëpi. Ndaj dhe në vitin 2001 prenotoi një apartament në një pallat që po ndërtohej.
“Unë kam sjellë nënën time këtu sepse nga një problem për një banesë, mua kërkojnë të më nxjerrin nga shtëpia. Më ka ndihmuar familja gjithmonë, e kemi blerë bashkë atë shtëpi dhe sot kërkojnë të më nxjerrin nga shtëpia. Më thonë e ke marrë pjesën tënde, tani mund të vazhdosh jetën tënde, por unë nuk kam se ku të shkoj. Këtë banesë nuk e kam marrë akoma, jam në gjyqe”, rrëfeu ai.
Jorgo u shpreh se prindërit e kanë ndihmuar me vlerë monetare për të blerë apartamentin, për të cilin ndodhet prej vitesh nëpër gjyqe, ndaj tani i kërkojnë të largohet nga shtëpia e tyre, me pretendimin se pjesën e tij e ka marrë. Por ai nuk ka sesi të sigurojë një banesë tjetër për të jetuar me bashkëshorten dhe djalin e tyre, që tanimë është 4 vjeç.
Eleni – Nuk është e lehtë që të vij unë sot dhe të përballem me djalin tim se ai është fëmija im.
Jorgo – Po, por për të më nxjerrë në rrugë kërkoni! Unë ku të shkoj? Kur këtë shtëpi nuk e kam marrë. Ju më keni ndihmuar, e di.
Eleni – Ke prenotuar një hyrje, e ke që në vitin 2011. Në vitin 2012 mbaronte hyrja, por kemi 6 vjet që po presim gjyqet. Unë kam dhe halle të tjera, kam edhe një djalë tjetër.
Jorgo – Domethënë ju keni djalin tjetër dhe unë të iki nga shtëpia!
Eleni – Ti e ndërtove familjen djali i nënës! Pse më ke thirrur mua sot? Duhet të thërrisje pronarin e pallatit që ke dhënë paratë e jo mua të keqen nëna, se unë jam një nënë dhe më vjen shumë rëndë që përballem me fëmijën tim!
Jorgo – Po për të më përzënë nga shtëpia nuk të vjen rëndë?
Eleni – Po ke 6 vjet, unë ku të shkoj?
Jorgo – Po unë ku të shkoj?
Eleni i tha të birit që e ka ndihmuar dhe e ka mbajtur në shtëpi për 6 vite, por tanimë nuk ka më mundësi. Ndërsa Jorgo i tha se ata kanë qenë kur është bërë kontrata e blerjes së shtëpisë dhe nuk i kanë thënë të mos firmosë, pasi ai vetë ishte në moshë të re dhe nuk kishte informacion të mjaftueshëm. Por e ëma u shpreh se as ata nuk kishin informacion dhe se për shkak të këtij konflikti bashkëshorti i saj është larguar nga shtëpia sepse është i sëmurë dhe nuk i suporton dot grindjet e vazhdueshme. Gjithashtu rrëfeu se shkak i konfliktit është djali tjetër i saj, i cili thotë që nuk krijon dot familje, pasi ndodhet familja e të vëllait në shtëpi dhe ai nuk e sjell dot bashkëshorten në të.
Jorgo shpjegoi se ai vetë jeton në Greqi dhe se bashkëshortja me djalin shkojnë te shtëpia e prindërve e saj sepse familja e tij thotë që nuk i mbajnë dot.
Jorgo – Nuk më keni më djalë? Po nuk më keni më, ma thoni që keni vetëm atë tjetrin.
Eleni – Të kam djalë dhe nuk të hedh poshtë! Unë e di si të kam rritur ty dhe atë tjetrin.
Jorgo – Po tani?
Eleni – Të nxjerr atë nga shtëpia që është beqar?
Jorgo – Po unë ku të shkoj? Ku ta çoj familjen time?
Eleni – Ti ke familjen tënde, merr iniciativën tende, nuk e di.
Juristja Eni Çobani shpjegoi se Jorgo ka lidhur një kontratë me firmën “Faet sh.p.k.” për blerjen e një apartamenti në Vlorë, duke paguar 55 mijë euro. Ai rrëfeu se ka punuar që në moshën 14-vjeçare dhe se me ndihmën e prindërve ka mundur t’i mbledhë ato para. Zonja Eni i tha Elenit se nuk mund ta kishin lejuar të firmoste kaq lehtë një kontratë premtim shitjeje apartamenti, pasi Jorgo ishte vetëm 24 vjeç dhe nuk kishte informacionin e duhur për ta kuptuar atë.
I kontaktuar nga juristja Çobani, pronari i pallatit Fatos Canaj është shprehur se ndodhet në një proces gjyqësor duke pritur vendimin e drejtësisë.
“Përpara noteres lekët i kanë kaluar Eduart Kacajt, elektriçitit të pallatit”, deklaroi Jorgo. Zonja Eni theksoi se ky është problemi i kësaj çështjeje, kontrata që është lidhur me Fatos Canaj, ndërkohë që paratë i janë depozituar në llogari elektriçistit Kacaj.
“Si mundet që 55 mijë Euro ti ia kalon në njeriu që nuk ka asnjë gërmë në këtë kontratë, asnjë emër, asnjë firmë!, u shpreh e shqetësuar juristja.
I pyetur nga Ardit Gjebrea se përse e ka bërë këtë veprim, Jorgo shpjegoi se kështu ishte lënë marrëveshja mes tyre dhe se menjëherë pasi i depozitoi paratë elektriçistit është firmosur kontrata dhe i janë dhënë çelësat e apartamentit. nga pronari i pallatit.
“Kur vajta unë për të marrë shtëpinë në fund të vitit 2012 më tha nuk ke shtëpi sepse nuk më ke dhenë lekët. Ai ka hapur kontratën e dritave në emrin tim, kam librezën që kam paguar 4 muaj. Më ka dhënë çelësin e shtëpisë, ma ka dorëzuar ai pas një viti dhe tani thotë nuk më ke dhënë lekët. Familja do të më nxjerrë jashtë. Unë jam në një hall shumë të madh! Nuk kam se ku të çoj ata që kam mbrapa (familjen), pa mirë unë”, u shpreh ai.
Të gjitha këto konflikte kanë ndikuar shumë edhe në marrëdhënien e Jorgos me bashkëshorten dhe djalin e tyre, pasi Eleni dëshiron t’i largojë nga shtëpia e saj dhe ata nuk dinë më se ku do të jetojnë.
Nga ana tjetër, juristja Çobani tregoi se Fatos Canaj nuk është paraqitur në asnjë seancë gjyqësore, duke zgjedhur të përfaqësohet vetëm nga avokati, çka është e papranueshme, pasi dëshmia e tij është thelbësore në zgjidhjen e çështjes.
“Në kushtet e kontratës, pika c3, ai thotë: nëse pala blerëse nuk likuidon këstin e parë, kontrata konsiderohet e zgjidhur pa asnjë njoftim të mëtejshëm prej palës shitëse.
Tani unë dua të di: A është e zgjidhur kjo kontratë apo jo? A është marrë kësti i parë i këtij apartamenti apo jo? A ka patur një detyrim midis shoqërisë “Faet sh.p.k” dhe elektriçistit Eduart Kacaj dhe më pas prezenca e tij në momentin e firmosjes?
Këto pyetje duhet t’i bënte gjyqtari i Gjykatës së Shkallës së Parë, i cili ka patur detyrimin të bëjë hetimin e plotë dhe të gjithanshëm në bazë të ligjit dhe Kodit të Procedurës, për të gjitha provat që janë sjellë në atë gjykim. Është e papranueshme dhe e patolerueshme që administratori i firmës në fjalë nuk është paraqitur në asnjë seancë gjyqësore. Kjo është një përballje kundrejt ligjit dhe kundrejt atyre që ne u kemi besuar ligjin, e cila nuk është kryer në mënyrë të plotë“, u shpreh zonja Eni.
Ajo këshilloi Jorgon të ketë besim dhe të bëjë durim derisa Gjykata e Lartë të vlerësojë që nuk është marrë asnjë dëshmi nga administratori i shoqërisë “Faet sh.p.k” dhe elektriçisti Eduart Kacaj, të cilin nuk mund ta gjejnë vetë ata, por shteti. Jursitja shtoi se përfëqësuesi ligjor i Fatos Canajt ka konfirmuar në gjykatë marrëveshjen e këtij të fundit me Eduart Kacaj, por pa e shpjeguar se çfarë lloj marrëveshje ka qenë kjo. Të gjitha këto fakte tregojnë që Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka marrë një vendim jo të plotë.
Publiku i emisionit “E Diela Shqiptare”, në këtë seancë ndërmjetësimi, i dha të drejtë Jorgos, i cili kërkon strehën e prindërve të tij për bashkëshorten dhe djalin e tij.
Eleni – Dua një kusht! Për sa kohë mund të qëndrojë djali aty se unë …
Zonja Eni Çobani – Pse, i vihen djalit kushte?
Jorgo – Me kushte, zonja Eni. Djalin tjetër do ta mbajnë, mua me kushte.
Zonja Eni Çobani- Ne fëmijët kur i kemi sjellë në jetë nuk kemi vënë kushte. I kemi pranuar ashtu siç na kanë ardhur dhe do t’i kemi gjithë jetën pa kushte! Kështu që nuk do të doja të dëgjoja kushte nga ju.
Ajo çka surprizoi të gjithë ishte një dashamirës i programit, i cili ofroi apartamentin e tij për djalin e Elenit, deri në momentin që do të përfundojnë proceset gjyqësore.
Eleni e falenderoi për përzemërsinë, por tha se djali sëbashku me familjen e tij do të qëndrojnë në shtëpinë e saj derisa të zgjidhet gjithçka, duke e përmbyllur me sukses edhe këtë seancë ndërmjetësimi.
Diskutime rreth kësaj post