Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe kjo është pranuar prej vetë atij, në mënyrë indirekte.
Në pozicionin e Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka pasur për detyrë të informonte institucionin e Prokurorisë për të nisur hetimit në kuadër të ligjit “Antimafia” për shtetasin Agron Xhafaj. Ky i fundit, vëllai i ministrit, është subjekt i ligjit “Antimafia”, për shkak se rezulton i dënuar në Itali me 7 vjet e dy muaj burgim për pjesëmarrje në organizatë kriminale që merrej me trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike.
Por, fakti që Agron Xhafaj rezulton i dënuar në Itali që prej vitit 2012, u bë publik së fundmi nga Partia Demokratike.
Prokuroria, nëpërmjet një sms të shpërndarë tek gazetarët, më në fund pranoi mesditën e së Shtunës se ka nisur verifikimet në kuadër të ligjit “Antimafia”, për Agron Xhafaj, vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Prokuroria argumenton se verifikimi ka nisur vetëm tani, pas publikimit nga Partia Demokratike, të dokumentit që provon se Agron Xhafaj rezulton i dënuar në Itali.
Por, ndërkohë, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka bërë një “autogol” pak ditë më parë, kur në një konferencë të posaçme për median, ai iu kundërvu akuzave të PD-së për rastin e vëllait të tij.
Ministri Xhafaj u shpreh se: “Vendimi i gjykatës italiane, lehtësisht i gjendshëm edhe online, i ditur dhe i njohur prej vitesh prej tyre dhe prej kujtdo tjetër të interesuar, shqiptar apo partner ndërkombëtar, i publikuar dhe i stërpublikuar në mediat prane tyre, ka ridalë sot si e vetmja armë kundërshtie mesa duket ndaj meje, sot si Ministër i Brendshëm”.
Pra, ai e pranoi publikisht se kishte dijeni për vendimin e vëllait të tij. Por, ndërkohë, rezulton se, në cilësinë e ministrit të Brendshëm dhe nismëtarit e nënshkruesit të paktit “Forca e Ligjit”, nuk e ka referuar rastin e shtetasit Agron Xhafaj në Prokurori, e cila më pas do të niste hetimin në kuadër të ligjit “Antimafia”.
Fakti që nuk ka asnjë referim për rastin e Agron Xhafaj konfirmohet nga Prokuroria, e cila pranoi se vetëm këtë të shtunë ka nisur verifikimin për shtetasin Agron Xhafaj, në kuadër të ligjit “Antimafia”, pas publikimit të të dhënave në media.
Në këtë mënyrë, provohet plotësisht se ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka konsumuar plotësisht elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Ai rezulton, e pranuar prej tij, se ka qenë në dijeni të plotë të faktit se shtetasi Agron Xhafaj ka qenë i dënuar për organizatë kriminale në Itali, duke qenë kështu subjekt i ligjit “Antimafia” dhe nuk ka kryer asnjë veprim procedurial, sipas ligjit.
Fatmir Xhafaj, si një jurist me përvojë, e ka shumë të qartë nenin 248 të Kodit Penal, “Shpërdorimi i detyrës”, i cili parashikon se:
“Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet”.
Diskutime rreth kësaj post