Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, dyshohet se është një përfshirë në një skandal fallsifikimi dokumentash, me qëllime korrupsioni në favor të vëllait të tij.
Por, deri më tani, ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga zyra e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, për nisjen e hetimeve ndaj ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Partia Demokratike, nëpërmjet përfaqësuesve të saj, Enkelejd Alibeaj dhe Gazmend Bardhi, kanë publikuar gjatë javës dokumenta, fakte dhe prova që kompromentojnë drejtëpërdrejtë Xhafaj, në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi.
Sipas dokumentave të publikuara nga PD, Xhafaj, nëpërmjet fallsifikimit, ka ndryshuar variantin përfundimtar të Kodit të Procedurës Penale, në nenin ku flitet për ekstradimet. Kodi i Procedurës Penale iu nënshtruar rishikimit tërësor, në kuadër të Reformës në Drejtësi.
Komisioni i posaçëm i Reformës shqyrtoi të gjitha variantet për këtë ligj të rëndësishëm dhe i dërgoi Parlamentit për votim projektin final. Por, në fazën nga miratimi i projektit në Komisionin e Reformës deri në dërgimin e tij për votim në Parlament, ka pasur një ndryshim nëpërmjet fallsifikimit. Ky material, me ndryshimin e dyshimtë, është dërguar në Parlament nga kryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj. Pra, dyshimet për fallsifikim dokumentash bien direkt mbi atë.
Në bazë të këtij “ndryshimi”, Kodi i Procedurës Penale shkon në favor të Agron Xhafaj, vëllait të ministrit të brendshëm, i dënuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike në linjën Shqipëri-Itali dhe SHBA-Itali.
Pra, në bazë të të dhënave zyrtare, ka dyshime të forta se Fatmir Xhafaj ka konsumuar dy vepra penale- fallsifikimit të dokumentave dhe korrupsionit, pasi ky fallsifikim është kryer për përfitime personale. Ky përfitim konsiston në faktin që Fatmir Xhafaj dyshohet se e ka kryer fallsifikimin për një interes thellësisht personal, për të ndihmuar vëllain e tij, Agron Xhafaj, që të mos vuajë dënimin prej 7 vjet e dy muaj burgim në Itali.
Faktet janë kokëfortë dhe tashmë pritet të shihet nëse Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku do të marrë guximin për të nisur hetimin ndaj ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Arta Marku dhe ministri Xhafaj nënshkruan para pak muajsh marrëveshjen për operacionin “Forca e Ligjit”. Rasti konkret është tipik kur forca e ligjit duhet të godasë “peshqit e mëdhenj”, të cilët arrijnë të ndryshojnë edhe Kodin Penal për interesa personale.
Diskutime rreth kësaj post