Prej mesditës së të mërkurës, prokurorja Donika Prela ka marrë në dorë dy prej hetimeve më të ndjeshme për ish-zyrtarë të lartë në Shqipëri. Drejtuesja e re e Prokurorisë për Krime të Rënda tashmë ka në dorë fatin penal të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
Me këtë lëvizje të fundit, për shumëkënd është e qartë se Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, po synon të mbyllë përfundimisht shqeësimet penale të Saimir Tahirit, ish-krahut të djathtë të kryeministrit Edi Rama.
Që prej caktimit në detyrën e Kryeprokurores së Përkohshme vetëm me 69 votat e Partisë Socialiste, Arta Marku ka ecur në drejtim të kundërt me hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda. Vetëm dy javë pasi ajo kishte marrë detyrën, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda i riktheu pasaportën Saimir Tahirit, e cila i ishte bllokuar pak para se Arta Marku të merrte detyrën.
Në vijim, me firmën tërësisht të paligjshme të Arta Markut, ekstradohet drejt Italisë financieri i Habilajve, Nezar Seitaj. Për të mbuluar skandalin që shpërtheu, Arta Marku urdhëroi mikeshën e saj, Donika Prela, kryeprokuroren e Durrësit, të niste hetimin për ekstradimin e tij. Por, natyrisht, Prela nuk nisi asnjë hetim për Arta Markun, por përfshiu në listën e personave të dyshuar dy prokurorët që po hetojnë dosjen “Tahiri”.
Dhe, së fundmi, Arta Marku zëvendësoi drejtuesin e Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmatën, njeriun që ka në dorë fatin e hetimit të Saimir Tahirit, me Donika Prelën, e cila ka nisur hetimin për prokurorët e Krimeve të Rënda për rastin e “financierit të Habilajve”.
Pra, skema është e qartë. Arta Marku do të përdor Donika Prelën për t’i vendosur vulën e pushimit çështjes “Tahiri”. Por, nga ana tjetër, asaj i duhet të nxjerrë një rezultat. Me shumë mundësi, si “sukses” pritet të regjstrojë dosjen “Adriatik Llalla”.
Me urdhër të Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku, Donika Prela nisi hetimin për ish-Prokurorin e Përgjithshëm. Ky hetim nisi në bazë të informacioneve mediatike, lidhur me pasurinë e Llallës.
Pasi e mbajti për rreth dy muaj në hetim në Prokurorinë e Durrësit, Donika Prela shpalli moskompetencën dhe ia përcolli dosjen Prokurorisë për Krime të Rënda, para rreth një jave.
Por, sapo kjo dosje u regjistrua te Krimet e Rënda, Arta Marku sjell edhe Donika Prelën për të vijuar punën e nisur kundër Adriatik Llallës. Me shumë mundësi, ajo do të ndikojë tek prokurorët e çështjes “Llalla” që ata të avancojnë drejt masës së sigurisë për ish-kryeprokurorin.
Diçka e tillë ka gjasë të ndodhë shumë shpejt, me nxitjen edhe të ambasadorit amerikan, Donald Lu, i cili njihet publikisht si “kundërshtar” i ashpër i Adriatik Llallës, për shkak se ky i fundit e akuzoi për përfshirjen për interesa personal në hetimin kundër “Bankers Petroleum”.
Pas ndryshimeve në Prokurorinë për Krime të Rënda, ambasadori Lu shfrytëzoi një hapësirë të tijën në median shqiptare, ku la të kuptohet se ai pret nga Donika Prela arrestimin dhe penalizimin e ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Në fakt, ambasadori Lu nuk e përmendi kësaj radhe me emër ish-kryeprokurorin, por të gjithë të dhënat në mesazhin e tij publik krijojnë bindjen se ai nuk dëshiron të largohet nga Shqipëria pa arritur të shohë Adriatik Llallën me pranga në duar.
Diskutime rreth kësaj post