Presidenti i SHBA, Donald Trump njoftoi se takimi me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un do të mbahet më 12 qershor në Singapor. Njoftimi vjen pasi zoti Trump priti personalisht tre amerikanë të liruar që u kthyen të enjten në mëngjes nga Koreja e Veriut.
Ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara po i fillojnë marrëdhëniet me Phenianin nga një bazë e re. Michael Brown i Zërit të Amerikës, njofton:
Presidenti Donald Trump, nënpresidenti Mike Pence dhe gratë e tyre, ishin mes atyre që dolën për të përshëndetur tre amerikanët e liruar nga paraburgimi në Korenë e Veriut, të cilët arritën të enjten herët në bazën Andrews pranë Uashingtonit.
Të tre amerikanët e liruar dolën nga avioni me dy gishtat lart në shenjë fitoreje.
Pak çaste më vonë, presidenti Trump tha se lirimi i tyre në këtë kohë erdhi disi papritur.
“Ne e vlerësojmë shumë që ai i lejoi ata të ktheheshin përpara takimit. Kuptohet që ne do të kishim qenë në gjendje t’i merrnim këta tre njerëz të mrekullueshëm edhe gjatë takimit dhe t’i sillnim në shtëpi, por ai pati mirësinë t’i lironte përpara takimit. Sinqerisht nuk kishim menduar se kjo do të ndodhte, por ndodhi”.
Ndërkaq, Presidenti Trump njoftoi se takimi me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un do të mbahet më 12 qershor në Singapor.
Koreano-amerikanët u liruan pasi Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, shkoi në Korenë e Veriut për herë të dytë brenda një muaji për t’u takuar me udhëheqësin koreanoverior.
Tony Kim dhe Kim Hak Song jepnin mësim në Universitetin e Phenianit për Shkencën dhe Teknologjinë, kur u arrestuan në vitin 2017, të akuzuar për pjesëmarrje në aktivitetet anti-qeveritare.
I burgosuri i tretë, Kim Dong Chul u arrestua në tetor 2015 dhe u dënua me 10 vjet burg me punë të rëndë pasi u shpall fajtor për spiunazh.
“Na trajtonin në mënyra të ndryshme. Unë bëja shumë punë të rënda, por kur u sëmura ata më kuruan”.
Ish-të burgosurit u dërguan menjëherë në një institucion mjekësor ushtarak për t’u takuar me familjen para se t’u bëhej ekzaminimi i gjendjes fizike.
Para largimit nga baza ajrore, Presidenti Trump vlerësoi përpjekjet e sekretarit të shtetit Mike Pompeo.
Zoti Trump thotë se qëllimi është që Koreja e Veriut të bjerë dakord për çnuklearizimin.
Megjithatë, ekspertët thonë se të dyja palët janë shumë larg në qëndrimet e tyre.
“Kemi një rrugë të gjatë në përpjekjen për ta kthyer këtë hap diplomatik me Veriun në diçka afatgjatë. Kjo mund të jetë një paqe e qëndrueshme dhe mund të çojë në çarmatimin bërthamor,” thotë eksperti Patrick Cronin.
Ekspertët paralajmërojnë se puna e vështirë e negociatave diplomatike sapo ka filluar.
Diskutime rreth kësaj post