Qeveria e Edi Ramës tashmë dihet edhe ndërkombëtarisht se ka probleme të theksuara me raportet me narko-trafikantët.
Kanabizimi i të gjithë territorit të vendit, në periudhën 2015-2016, fakt që gjendet në shumë raporte ndërkombëtare, rezulton të ketë qenë një skemë e mirë-organizuar dhe lehtësuar nga zyrtarë të lartë qeveritarë.
Ndërkohë, të dhëna të herë pas hershme, kanë faktuar para publikut se familjarë dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të drejtuesve më të lartë qeveritarë kanë lidhje apo janë të përfshirë drejtëpërdrejtë në tregun e paligjshëm të trafikut të narkotikëve.
Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama, është akuzuar shpesh si pjesë e një grupi të rrezikshëm të trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të Bashkimit Europian, nëpërmjet territorit të Shqipërisë. Prokuroria për Krime të Rënda ka të dhëna të faktuara se Olsi Rama ka pasur komunikime të shpeshta me anëtarët e grupit “Xibraka”, të cilët tashmë janë të dënuar për ngritjen e laboratorit të kokainës, në periferi të Elbasanit.
Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, rezulton i dënuar me 7 vjet e dy muaj burg nga drejtësia italiane, për trafik dhe shitje të drogave të forta dhe hashashit. Ai nuk është arrestuar dhe as nuk është ekstraduar në Itali për të vuajtur dënimin e dhënë nga gjykata italiane. Duket qartë që vëllai i tij i pushtetshëm, Fatmir Xhafaj, ka luajtur të gjithë gurët për të shpëtuar vëllain e tij nga prangat.
Saimir Tahiri, si-vëllai i kryeministrit Edi Rama, njeriu më i afërt i tij gjatë mandatit qeverisës 2013-2017, është i akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale të trafikut të narkotikëve, së bashku me vëllezërit Habilaj.
Mark Frroku, ish-deputet aleat i Edi Ramës, arriti që të fshihte në automjetin e tij, në vitin 2015, një person që akuzohet se ka trafikuar disa tonelata kanabis drejt Italisë. Mark Frroku nuk lejoi që policia të arrestonte Bardhok Pllanaj, pavarësisht se agjentët që e kishin nën vëzhgim, kishin informacion të saktë se Pllanaj gjendej në mjetin e deputetit.
Disa drejtues të lartë policie janë në kërkim, pasi gjatë detyrës së tyre kanë krijuar kushtet e nevojshme që trafikantët të transportonin lehtësisht disa tonë kanabis në drejtim të Italisë.
Shumë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë policie janë nën hetim, për bashkëpunim me trafikantët e hashashit, në bazë të informacioneve të siguruara nga Shërbimi Informativ Shtetëror.
Përtej deklaratave me pathos të kryeministrit Rama se ai e ka fituar betejën me drogën, shumëkush, në Shqipëri dhe nga partnerët ndërkombëtarë, nuk i besojnë.
Diskutime rreth kësaj post