Nga Bedri Islami
Asnjëherë në jetë nuk e kam takuar Izet Haxhinë dhe as që kam biseduar me të. Po të ishim takuar 20 vite më parë, jam i bindur se do të kishim përplasje mes nesh. Ai, me mendësinë se të gjithë ata që janë pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe të UÇK-së janë enveristë dhe të shitur tek serbët, si do më shkruante shumë më vonë (kemi pasur vetëm disa mesazhe mes nesh), dhe unë do e shikoja atë me atë sy që kisha parë edhe shefin e tij politik, pranë të cilit kishte qenë shumë vite dhe në emër të të cilit, kishte bërë aq shumë prapshtina dhe vepra të dënueshme, të cilat, edhe pse i vonuar, i ka pranuar, duke rënduar pozitën e tij përballë drejtësisë.
Izet Haxhia u bë i njohur që në fillimet e lëvizjes demokratikase si një njeri i dhunshëm, dhe, përmes kësaj dhune ai vendoste heshtjen në partinë ku bënte pjesë, godiste kundërshtarët, qoftë jashtë partisë, qoftë brenda saj dhe kësaj dhune nuk i shpëtuan as shefi i dikurshëm, për një kohë të shkurtër, Selami dhe as shefi i sotëm i qeverisë, Rama.
Ashtu si nuk i kanë shpëtuar edhe shumë e shumë të tjerë. Në fund të fundit, ai ishte, në atë kohë shëmbëlltyra e pushtetit që po instalohej në Shqipëri. Lëvizja antikomuniste zhduku këtë të fundit, edhe se i kishte ardhur koha të zhdukej që herët, por kjo nuk e përligji asnjëherë vendosjen e demodiktaturës dhe despotizmin e një presidenti që dukej sikur kishte ardhur në atë post për të patur revanshin e tij ndaj hijes ku ishte strukturë deri asaj kohe.
Maja e shpatës e demodiktaturës ishte edhe njësia që drejtohej nga Izet Haxhia, herë pas here ndihmuar edhe nga vëllezërit e tij dhe një grup mitingashësh, të cilët, edhe pse nuk bënin as një të qindtën e hatasë që po bënte SHIK-u i Gazidedes, përsëri ishin të frikshëm, edhe pse ishin njësi jashtë ligjit, krijuar sipas tekës së një njeriu, i cili, në marsin e vitit 1997, si pak kush në botë, u bëri thirrje vëllezërve Haxhia që të krijonin një gardë të re pretoriane – presidenciale, dhe përmes tyre të shtypte me dhunë, gjak e terror lëvizjen kundër tij që kishte filluar në jugun e Shqipërisë.
Fantazma e luftës veri – jug ishte ndezur edhe një herë, por, megjithë besnikërinë e tyre, vëllezërit Haxhia nuk e ndezën fitilin. Nëse do e kishin bërë këtë, vendi edhe sot nuk do të ishte i qetë, megjithëse ende nuk është qetësuar plotësisht, por kjo nuk ka lidhje me Izet Haxhinë.
Fotoja e Izet Haxhisë mbi tankun e rrëmbyer, ose të dhuruar nga njerëzit e tij në Gardën e Republikës në shtator 1998, është perceptimi më i qartë se si Sali Berisha e shikonte marrjen e pushtetit, por edhe të mendësisë që kishte asaj kohe vetë Izeti. Një pushtet përmes grykës së tankut, si e kishin pasur dikur komunistët përmes grykës së pushkës.
Të gjitha këto Izet Haxhia i ka dëshmuar në intervistat e tij të njëpasnjëshme në DITA; i ka bërë ato për të gjetur një rrugë të re për veten, apo është zgjuar ndërgjegjja e tij për gjithë çka ndodhur, kjo është çështje e dorës së dytë, që një ditë do të qartësohet.
I braktisur nga njeriu që i kishte shërbyer besnikërisht, deri në mohimin e vetvetes, i bërë pjesë e një vrasjeje ku ai vetë mund të mos ketë qenë pjesë, pikërisht nga njeriu që kishte qenë pjesë, për më tepër i një vrasjeje të paralajmëruar dhe ku diheshin vrastarët, ai u gjend, mendoj, në pozitën që nuk e kishte menduar asnjëherë.
Shefi i tij i madh, gjithnjë sipas Izet Haxhisë, i kishte dhënë urdhër të sulmonte, qoftë edhe duke dhënë jetën, ambasadën amerikane, që asaj kohe ishte kundërshtare e fuqishme e grushtit të shtetit – shtator 1998, dhe kur ai nuk e kishte bërë shërbimin e fundit ndaj njeriut që i kishte besuar, ishte ndodhur jashtë rrjedhe, për më keq, buzë burgimit të gjatë, ose edhe eliminimit të tij.
Njeriu që dinte më mirë se gjithçka tjetër të fshehtat e gardës pretoriane – presidenciale kishte qenë ai, ai dinte mekanizmin lëvizës të kësaj garde, forcën goditëse dhe e dinte po ashtu, se vendin e tij, si njeriu i privilegjuar pranë Berishës, e dëshironin me dhjetëra të tjerë, si për shembull Kuliçaj, që mund të bënin edhe më shumë nga sa kishte bërë vetë ai për shefin. Ndaj, si duket, nga kjo pamje e mundshme që i shfaqej, ai u largua.
Vrasja e Azem Hajdarit është thembra akiliane e gjykimit të tij. Në fakt, edhe pse pa e ditur se mbi cilin do të qëllohej, ka qenë e pritshme se do të ndodhte diçka e tillë, ndoshta e huazuar nga ajo ndodhi e largët e vitit 1924, kur vrasja e Avni Rustemit kishte ndezur një revolucion dhe kishte përmbysur një qeveri.
Struktura të veçanta të LPK-së dhe të UÇK-së kanë pasur informacion se do të përgatitej diçka e tillë, dhe, duke dashur stabilitetin e shtetit shqiptar në pikun e luftës në Kosovë, i është përcjellë shtetit shqiptar, në linjë të veçantë, deri në takime të personalizuara me drejtuesit më të lartë të tij.
Strukturat e FARK-ut, një njësi e krijuar, sipas zbulimit zvicerian, nga Bujar Bukoshi dhe Xhafer Shatri, si kundërvënie e UÇK-së, në mars të vitit 1998, kishin edhe projektin e dezertimit të një grupi ushtarakësh nga fronti i luftës në Zonën Operative të Dukagjinit, kalimin e tyre nëpër mal të Zi, dhe më pas, pjesëmarrjen e tyre në atë që po përgatitej në Tiranë.
Nuk ka pasur nevojë që të përgjoheshin struktura të tilla. Njerëz atdhetarë, të lidhur me lëvizjen çlirimtare, që ishin pjesë e dërguar në FARK, më parë dërgonin informacionet tek Lëvizja se sa tek eprorët e tyre, që nga ata që citoheshin si “shumë sekret” e deri tek lëvizjet financiare. Shumë nga këto informacione janë ende në arkivin e luftës.
E solla këtë fakt vetëm për një qëllim: vrasja e Azem Hajdarit, më tepër se e rastësishme, ka qenë e planifikuar. Ajo ndodhi atë ditë ndoshta rastësisht, por një ditë pritej të ndodhte diçka dhe për klanin që kërkonte pushtetin, asnjë nuk ishte më i përshtatshëm për të ndezur revoltë se sa deputeti rebel. Ai ishte i pakuptueshëm dhe i pa kontrollueshëm: kishte qenë lider i parë i PD-së dhe kishte deklaruar haptas se, “unë kam qenë Njëshi dhe Njëshi di shumë gjëra”; kishte qenë në ditën e 1 prillit në Shkodër dhe ishte larguar në darkë vonë, pasi kishte ngrënë fasule dhe vezë të fërguara tek një shtëpi në lagjen Serreq, duke qëndruar në sediljen e pasme mbështjellë me batanije, e, më pas, ishte fajësuar haptas nga partia e tij se pikërisht ai qëndronte pas vrasjeve të 2 prillit; ishte përjashtuar nga grupi i deputetëve të PD-së, ishte bashkuar me grevën e urisë së ish të burgosurve politikë dhe ishte përzënë me dhunë, zvarras, nga policia e partisë së tij; ishte njeriu që i kishte kërkuar Berishës në vitin 1993 të bëhej ministër i brendshëm, dhe, kur i ishte premtuar, kishte thënë se “unë e jap jetën për ty”, i përzierë në shumë punë të zeza, por i befasishëm, e, mbi të gjitha, ishte verior, për të ndezur edhe një herë lojën e përgjakshme veri – jug.
Izet Haxhia nuk kishte se si ta dinte të gjithë këtë lojë pas shpatullave të tij, pikërisht të atyre shpatullave që i kishte vënë në ruajtjen e jetës së presidentit të dikurshëm.
Këtu fillon edhe ndarja e madhe e tij, që pasoi me disa vite heshtje dhe, më pas, me një shpërthim akuzash ndaj ish shefit të tij, të rënda, herë-herë të jashtëzakonshme, të cilat, edhe sikur në një të qindtën të vërtetohen, do të sjellin furtunë politike, e mendoj jo vetëm tek një forcë politike, por edhe përtej saj.
Ardhja e tij e trazoi skenën politike që kur Izeti ishte në avion. Bile, edhe më herët. Që kur doli vendimi se do të ekstradohej, një kërkesë e bërë që në kohën e qeverisë Berisha dhe e përsëritur edhe në qeverinë Rama.
Nëse në fillim kërkesa e shtetit shqiptar nuk u realizua, ndoshta nga frika se atij do i krijoheshin ngjarje të pasigurisë së jetës, tani, ndoshta edhe nga afërsia mes dy drejtuesve të shteteve, Erdogan dhe Rama, atë e sollën. Nën hyqmin e një force sigurie të shkallës më të lartë.
Njeriu që u trazua më shumë ishte Berisha, kjo pritej. Ai e riakuzoi për gjithçka Izet Haxhinë, njeriun hije të tij; e akuzoi si vrasës, si njeriun e dënuar përjetësisht, si kriminel, si gjakësor, por e vetmja gjë që nuk e tha dot ishte se përse e kishte mbajtur si njeriun e shtëpisë pikërisht këtë njeri, që ishte edhe kriminel, edhe vrasës, edhe i dënuar.
Berisha do të jetë edhe më tej i trazuar. Askush nuk di për të zotin më shumë se sa hija e tij. Dhe kur hija bëhet reale, me gojë e flet, atëherë punët nuk janë mirë.
Tani, as qeveria aktuale e as opozita, as ata që rrinë rreth e rrotull tij, as ata që e mbështetin dhe as ata që nuk e besojnë, nuk kanë punë me të.
Tani ai është një i dënuar, që pret ridënimin ose hedhjen poshtë të dënimit në mungesë.
Faktet që janë tashmë të qarta për këdo na sjellin edhe një herë pamjen e një prokurorie që, edhe pse Berisha ishte në opozitë, më parë i dërgonin pamjet dhe informacionet atij se sa strukturës që i takonin; kemi gjyqtarë që për një qëndrim në detyrë të nxirrnin të fajshëm, sepse kështu e donte shefi; kemi allishverishe të ish kryeprokurorit me vrasës; për të mos shkuar më tej.
Nëse Izet Haxhia është dënuar në kohën e qeverisjes socialiste, pas vitit 1997, kjo nuk do të thotë se mbi të nuk ka pasur mëri, zemërim e dëshirë hakmarrje. Ka qenë e vështirë të harroheshin aq shpejt ajo që ai kishte bërë mbi socialistët, të gjitha ato ndodhi që u kishin kushtuar shumë, në të cilat rrahjet kishin qenë më të lehtat.
Sistemi i drejtësisë është nën monitorim të pazakontë. Edhe më shumë se normalisht do të jetë nën monitorim, kontroll dhe ndjekje, nëse hapet edhe një herë çështja “Haxhia”.
Akuzat e tij ndaj ish shefit Berisha janë të pazakonta. Që nga idetë për vrasje e deri tek bashkëpunimi mes shërbimet e huaja, sidomos serbe. Që nga tregtia e drogës e deri tek grabitja e pasurisë. Që nga lëvizjet e dhunshme dhe deri tek organizimi i grushtit të shtetit. Që nga roli i Hajdarit në ngjarjet e 2 prillit dhe deri tek roli i Berishës në vrasjen e Azem Hajdarit.
Ish ministri i brendshëm, Tahiri, është nën një hetim 7 mujor nga përgjimi i telefonatave të kushërinjve të tij dhe mirë është bërë. Ka arsye që të bëjnë të mendosh se çështja Tahiri duhet shkuar deri në fund; ose të zbardhet, ose të kemi precedentin e parë të dënimit të një ish ministri për pjesë në grupet kriminale.
Ndërsa ndaj Berishës, familjes së tij dhe strukturës politike që ai ka drejtuar nuk dëshmon tani një njeri që vjen nga rruga apo qytetari digjital, por njeriu më besnik i tij, hija e tij, që është edhe goja që dëshmon.
Këtë mundësi ai duhet ta ketë. Ose tani, ose kurrë.
Nuk ka rrugë tjetër për drejtësinë.
As për Izet Haxhinë.
Diskutime rreth kësaj post