Kompania gjermane e makinave BMW po tërheq nga tregu në Britaninë e Madhe plot 312 mijë automjete, BMW Seria 1, Seria 3, Z4 dhe modelet e saj X1, me naftë dhe benzinë të prodhuara nga marsi i vitit 2007 deri në gusht të 2011-s.
Vitin e kaluar, kompania njoftoi tërheqjen nga tregu të 36.410 makinave për arsye sigurie, por tani thotë se mund të ketë probleme të ngjashme edhe në automjete të tjera.
Prodhuesi gjerman i makinave njoftoi fillimisht për tërheqjen e automjeteve të tij nga tregu në Britaninë e Madhe, pasi Narayan Gurung, që po udhëtonte me bashkëshorten në ditën e Krishtlindjes së vitit 2016, humbi jetën kur “Ford Fiesta” i tyre u përplas me një pemë për të evituar një BMW me defekt, në Guildford, Surrey, raporton TCH.
BMW-ja kishte pësuar një defekt elektrik, që kishte bërë që dritat e saj të mos funksiononin, duke bërë që mjeti të mbetej i ndaluar në errësirë në një rrugë kryesore.
Një hetim i autoriteteve doli në përfundimin se defekti mund të përsëritej në një numër më të madh automjetesh. Kohët e fundit u bë e ditur, madje, se BMW-ja nuk kishte informuar Agjencinë britanike të Standardeve të Automjeteve për defektin elektrik në disa prej makinave të saj.
Sipas një hetimi, kompania kishte marrë ankesa për një problem elektrik që në vitin 2011. BMW-ja kishte tërhequr nga tregu në SHBA plot 500 mijë makina në vitin 2013, po ashtu edhe në Australi, Kanada dhe Afrikën e Jugut.
Diskutime rreth kësaj post