Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, ka shkarkuar kreun e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besim Hajdarmataj.
Vendimi është marrë këtë të mërkurë, ku në vend të Hajdarmataj është komanduar prokurorja Donika Prela.
I njohur ndryshe si personi i besuar i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, ai largohet fill pas zbardhjes së skandalit ku u akuzua drejtpërdrejtë për mbyllje në mënyrë misterioze të dosjes së bosit të drogës Arbër Kuliçi (Çekaj).
Pas zbulimit të 613 kg kokaine që vinte nga Kolumbia, doli se pritësi i drogës kishte edhe një dosje tjetër të mbyllur më herët nga kreu i Prokurorisë për Krimet e Rënda.
Hajdarmataj do të vazhdojë të qëndrojë tek Krimet e Rënda, por si prokuror i thjeshtë i tyre. Ai është njëri prej prokurorëve që po heton dosjen “Habilaj-Tahiri”.
Në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme, bëhet e ditur se me emërimin e Donika Prelës si kreu i Prokurorisë për Krime të Rënda, kreu i akuzës Arta Marku ka “besim se ky ndryshim në drejtim do të sjellë si rezultat ndjekje penale më të shpejtë dhe më të efektshme të çështjeve me përparësi të lartë.
Ndjekja penale e krimit dhe korrupsionit mbetet prioriteti më i lartë për Kryeprokuroren Marku” .
Diskutime rreth kësaj post