Dita e 5 Majit, një ditë në përkujtim të dëshmorëve të atdheut, dikur një ditë shumë e rëndësishme, sot një rutinë përkujtimore, hap debat sepse këndvështrimi politik kërkon ta zbehë ose ta kthejë në një aset të luftës politike.
Në kujtim të veprës së “Heroit të Popullit”, Qemal Stafa, u vendos edhe dita e 5 Majit si dita e kujtimit të dëshmorëve të atdheut.
Ja se çfarë shkruan Nako Spiru, një nga udhëheqësit e luftës nacional-çlirimtare, më 5 Maj të vitit 1945 në gazetën “Bashkimi” për Qemal Stafën:
“Në vjeshtën e vitit 1941-së filloi një lëvizje e madhe për organizimin e luftës kundër okupatorit. Me nji herë doli e kjartë pozita e reaksionit që përkrahte okupatorin. Që në përpjekjet e para u pa fryma e oportunistave, të cilët kishin frikë nga kryengritja e popullit Shqiptar.
Populli jonë kërkonte rrugën për me organizue fuqitë e tij në luftën patriotike. Djemtë e tij më të mirë dolën në krye për të konkretizue këtë vullnet. Qemal Stafa ishte në rradhën e parë të tyre. Dhe ishte jo vetëm me vullnetin e tij të pa thyeshëm, jo vetëm me trimninë dhe vetëmohimin e tij, por edhe me zotësinë e tij që e bani të dallohet në mes të tjerëve.
Për popullin tonë ishte puna që të hynte dhe të organizohej në rrugën e drejtë në rrugën e çlirimin e tij. Kjo ka një randësi akoma ma të madhe kur marrim parasysh se reaksioni i këtueshëm kurdiste plane për të vu popullin në rrugën e kapitullimit e të përuljes, kur shumë veta nuk shifshin akoma mirë objektivat e reaksionit dhe nuk ishin në gjendje të shpëtojshin manevrat e tij.
Kur populli i jonë ngrejti ma tepër zanin kundër robnisë, kur përpjekjet e atyne që shifshin ma mirë u banë ma të gjalla e ma të organizueme, fashizmi shumoi përpjekjet e tij, dhe manevrat e tij u- banë një rrezik ma i madh për avenirin tonë kombëtar.
Ishte puna që populli jonë të hynte në rrugën e turpit dhe të lidhte fatet e tij me ato të fashizmit, të tradhëtonte Shqipërinë të koprementonte vite e vite jetën e tij-ose të merrte rrugën e nderit, të fitonte indipendencën e tij të bahesh i lirë. Populli shqiptar rroku armët, populli Shqiptar fitoj lirinë e tij, populli Shqiptar shkoi dhe po shkon në rrugë të drejtë.
Këtu duhet ta shofim punën e Qemalit. Për këtë arsye emni i Qemalit është i lidhun me indipendencën e vendit tonë, me lirinë e popullit tonë. Nga gjiri i popullit tonë, nga aspiratat e tij të thella për liri, nga vullneti i tij për të drejtat e tij, nga dëshira e tij për drejtësi, nga urrejtja kundra okupatorit, nga përpjekjet dhe nga lufta e tij, nga traditat e tij ma të mira dolën udhëheqësat e luftës tonë nacional-çlirimtare, udhëheqësat e popullit tonë.
Qemali ishte një udhëheqës pse, i kjartë në mendimet e tij i mësoi popullit rrugën që duhesh të ndiqte dhe e organizoi në këtë rrugë, pse dha shembullin me punën e tij, pse, i lidhun ngusht me popullin, luftoi dhe tregoi si duhesh luftue. Ishte i ri, por u dha mësim shumë ma të vjetërve se si duheshin ba punët.
Më 5 Maj 1942 Qemali u vra. U vra tue luftue. U vra nga agjentët e fashizmit. Ishte koha kur kishte filluar nji valë terrori në qytetet e Shqipnisë e veçanërisht në Tiranë.
Ishte koha kur spiunët dhe milicët, të mobilizuem me ndëmjetësinë e reaksionit, gjyrmonin si të tërbuem në Tiranë me shpresë që të vritnin pesë a gjashtë vetë, tue kujtue kështu se Lëvizja mund të merrte fund. Këta nuk dijshin se në Maj të 1942-së mbrapa atyne pesë gjashtë vetëve ishte i tanë populli.
Për vrasjen e Qemalit nuk janë përgjegjës vetëm ata që shtinë mbi të, por i tanë reaksioni që u ba ortak i ngushtë i okupatorit në atë valë terrori, asht përgjegjëse e tanë politika “atandiste” që inkurajoj kriminelat fashistë.”
Sot debatet shterpë të retushimit të historisë janë, jo vetëm një veprim me prapavijë të pastër politike kundra luftës nacional-çlirimtare, por dhe njëkohësisht dëshirë për të minimizuar veprën madhore të atyre që dhanë jetën për çlirim kombëtar. Udhëheqësit e asaj lufte ishin shokë të Qemalit dhe u frymëzuan nga vepra e tij.
Me mijëra partizanë që morën pjesë në çlirimin e vendit kishin në mendje e zemër amanetin e Qemalit. Nako Spiru në këtë shkrim u bën nder brezave të ardhshëm, sepse ai përmend fjalën nder dhe turp. Nder për popullin që zgjodhi rrugën e drejtë për çlirim kombëtar.
Turp për reaksionarët që donin ta vinin popullin në krah të pushtuesit fashist dhe të përulur përjetësisht deri në zhdukjen e tij dhe shitjen e vendit. Përkujtimi i ditës së dëshmorëve e rendit kombin shqiptar ndër vendet e boshtit të aleatëve(Anglia, Rusia dhe Amerika), që kontribuan në luftën kundra bishës nazifashiste dhe boshtit të së keqes.
Këtë luftë kundër okupatorit nazifashist e kanë njohur Fuqitë e Mëdha, ndaj dhe në çdo 9 Maj ditën e fitores mbi fashizmin edhe Shqipëria dhe udhëheqësit e saj ftohen në çdo përvjetor, si një nga vendet fituese. Spekullimet me të ashtuquajtura kampe e burgje të kohës së diktaturës nuk mund ta zhbëjnë veprën më madhore të asaj kohe të bërë nga ato breza që ndiqnin shembullin e Qemal Stafës.
Përgatiti Kastriot Kotoni
Diskutime rreth kësaj post