“Nuk mund ta falim! Këto akte i bëjnë vetëm terroristët”. Kështu është shprehur për Gazeta Shqiptare, Ferit Buci, vëllai i Agim Bucit, 52-vjeçari që mbeti i vrarë ditë më parë nga grabitësit, të cilët mësynë në marketin e tij.
Ai ka bërë të ditur referuar deklaratës së bërë nga i ati i Vladimir Kurtit, se nëse të birin e kishte mostër le ta çonte në polici përpara se të vriste në familje.
“Jemi te tronditur. Këto akte i bëjnë vetëm terroristet. I ati i vrasësit nëse e ka të birin monstër ta çonte në polici para se të vriste një familje. Edhe i ati i vrasësit të shkojë në burg se nuk ka rritur fëmijë të mirë. Nuk mund ta falim. Ai të mos i bëjë thirrje ta vrasë shteti Vladimirin, por ta vrasë vetë. Fëmija nuk e di ende që i ati ka vdekur. Mendon se babai do t’i operohet. Kërkojmë një psikolog për djalin”, – ka thënë Ferit Buci. Ndërkohë që sot Gjykata e Tiranës ka lënë në burg dy autorët Kurtin dhe Hoden.
Gazeta Shqiptare mëson se në familjen e Vladimir Kurtit shkoi policia, duke i marrë edhe njëherë në pyetje. Familja kërkoi mbrojtje pasi i druhet një hakmarrjeje. Familja Kurti kërkon mbrojtje për babain dhe 3 vëllezërit e Vladimirit. Ky i fundit është me precedentë penalë edhe për dhunë në familje. E ka denoncuar i ati Petriti kohë më parë. Pas ngjarjes kur e shoqëroi policia, Petriti u ka thënë policëve: “Merreni dje mos ma ktheni më në shtëpi djalin”. Ndërkaq, policia vijon kontrollet për gjetjen e pistoletës në lumin Tërkuzë.
Petrit Kurti mohon djalin e tij: Të kthehet dënimi me vdekje. Po rrisim monstra
Pas ngjarjes së rëndë në Kamëz ku humbi jetën Agim Buçi dhe u plagos bashkëshortja e tij, policia vuri në pranga dy nga autorët e dyshuar, shtetasit Ruzhdi Hode dhe Vladimir Kurti. Babai i autorit të tragjedisë, i cili akuzohet se qëlloi me armë mbi çiftin Buçi, kërkoi falje ditën e djeshme për veprimin e djalit të tij. Petrit Kurti mohoi Vladimirin, duke e konsideruar ish-djalin e tij. “I kërkoj falje familjes Buçi për tragjedinë që i shkaktoi ish-djali im… Të na falin, ne nuk e kemi traditë këtë gjë. U dhëntë Zoti durim se nuk i kthehet më buzëqeshja dhe botën po t’u japësh. I bëj thirrje si prind me shpirt e zemër, Presidentit të Republikës, kryetarit të Parlamentit, Edi Ramës të mblidhen direkt ta shfuqizojnë atë ligj famëkeq, për këta monstra që dalin. Jemi duke rritur mostra, dënimi me vdekje të nisë nga djali im, pasi po rrisim monstra. Si mund t’i shkosh tjetrit në banesën e tij”, u shpreh Petrit Kurti, babai i autorit të vrasjes së Agim Buçit. Petriti nuk ka qëndruar në banesë pas krimit, duke iu frikësuar ndonjë hakmarrjeje. Ai rrëfen se ka tentuar të kontaktojë me familjen Buçi me anë të njohjeve të përbashkëta, por asnjë person nuk e merr përsipër ndërmjetësimin, pasi krimi konsiderohet i rëndë. “Nuk e merr kush përsipër me aq sa njoh unë këtu. Edhe sot kam tentuar, por me kanë thënë se krimi është i rëndë. Shpresa e vetme është ndihmë e Zotit”, u shpreh 55-vjeçari. Më herët vëllai i viktimës, Rufat Buçi tha se vendosjen e drejtësisë ia kishin lënë në dorë shtetit. Dy të rinjtë Vladimir Kurti dhe Ruzhdi Hoda pritet të dalin sot para gjykatës për të mësuar masën e sigurisë. Ata e kanë pranuar krimin, ndërsa kanë treguar edhe vendin ku kanë hedhur pistoletën, e cila me gjithë përpjekjet e policisë nuk është gjendur ende.
Grabitja
Falë pamjeve filmike të sekuestruara nga kamerat e sigurisë në marketin ku ndodhi grabitja në Kamëz, policia ka rindërtuar skenën e krimit ku mbeti i vrarë kryefamiljari Agim Buçi dhe u plagos bashkëshortja e tij. Ngjarje e cila ndodhi në prani të djalit të mitur të çiftit Buçi, në rrugën “OSBE” rreth orës 21:07 të së mërkurës. Kur Merita Buçi po bëhej gati të mbyllte dyqanin ushqimor, dy persona të armatosur, konkretisht Ruzhdi Hode dhe Vladimir Kurti, të maskuar me kapele dhe me veshje sportive hynë për ta grabitur. Në ato momente në dyqan ndodhej 44-vjeçarja së bashku me djalin e mitur 6-vjeçar. Për të frikësuar autorët ajo ka nxjerrë një thikë dhe ka thërritur bashkëshortin. Në këtë moment, në market hyri Agimi, i cili u përlesh me agresorin Vladimir Kurti. Ky i fundit nuk ka hezituar dhe i ka drejtuar pistoletën në gjoks, duke e qëlluar nga afër. Bashkëshortja Merita ka tentuar t’i vijë në ndihmë Agimit, por grabitësit kanë qëlluar edhe mbi të duke e plagosur. Pasi kanë qëlluar dy herë në drejtim të çiftit, autorët kanë marrë paratë dhe kanë dalë në rrugë, duke ecur për disa metra në këmbë.
Diskutime rreth kësaj post