Nga Denis Dyrnjaja
Kemi hyrë në një stad të ri të mashtrimit publik nga politika. Ky stad ka të bëjë me faktin e përdorimit të demagogjisë në kuptimin më të thellë të saj. Mjafton të shohësh dy forumet e mëdha të dy partive kryesore në vend që i mbajtën këtë fundjavë, për të kuptuar se po përdoret edhe “sinqeriteti i falsifikuar” për të manipuluar opinionin. Edi Rama mblodhi Asamblenë e Socialistëve dhe pranoi qeverisjen me arrogancë, pranoi edhe probleme me performancën e qeverisjes si në nivel lokal ashtu dhe qëndror.
Madje shkoi deri në atë pikë sa të tha se njerëzit nuk gënjehen më me shifra. Por njerëzit mund të gënjehen më as me hipokrizi dhe sinqeritet të rremë. Të njëjtën gjë bëri edhe kundërshtari i tij politik. Lulzim Basha. Mblodhi Kuvendin Kombëtar të PD-së dhe morri përgjegjësinë për gabimet dhe veprimet e gabuara që në fakt kanë prodhuar shumë kosto politike për këtë forcë politike, që nga përçarja e thellë brenda demokratëve e deri te shkelja e rregullave të brendshme e veprimit politik në parti, pa përmendur përgjegjësinë e humbjeve në zgjedhje.
Pra ky tip politikani si Rama apo Basha po përpiqet të ravijëzojë në publik modelin e sinqertë që pranon fajin dhe përgjegjësisë, por nuk ndërmerr asnjë akt dhe veprim për pasojën dhe dëmin e shkaktuar. Vetakuzimi pa ndëshkim është i barabartë me demagogji. Pasi kanë kuptuar që njerëzit janë ngopur me gënjeshtra dhe përpjekjet për t’i gënjyer, tani politika ka filluar të përdorë demagogjinë dhe vetdenoncimin, por pa ndëshkim për të mbajtur dhe manipuluar besimin e publikut. Në fakt bota demokratike se cilës pretendojmë t’i bashkëngjitemi ka ca norma të tjera.
Minimumin e normës së përgjegjësisë ka dorëheqjen. Në Britani një ministër vetëm pse shkoi pak minuta me vonesë në mbledhjen e Parlamentit dha dorëheqjen publikisht e tha se ndihej i turpëruar për këtë vonesë. Pra nuk u mjaftua vetëm me kërkimin e një faljeje, por mori mbi vete përgjegjësinë e plotë morale dhe publike dhe u dorëhoq. Ky është modeli i politikanit të përgjegjshëm dhe real. Nëse pranon gabimet publikisht, atëherë merr përgjegjësinë dhe ki kurajon të japësh edhe dorëheqjen. Kështu bëhesh shembull edhe për pasardhësit dhe për shoqërinë, kështu krijohen standarde, kështu krijohen modelet e shëndetshëm. Demokracia është veprim dhe përgjegjësi. Gabove?! Prano gabimin, largohu e hapu rrugën të tjerëve. Vetëm kështu demokracia shëndoshet, krijohen dhe ndryshojnë elitat, politika përtërihet, qeveria përmirësohet.
Çdo sjellje tjetër është një teatër i parë, i përsëritur dhe i vënë në skenë nga aktorë të ndryshëm që synojnë të njëjtën gjë, të manipulojnë dhe sugjestionojnë publikun me akte autokritike dhe deklarata emotive sinqeriteti që në fakt janë një përpjekje për të kamufluar dhe shmangur përgjegjësinë reale për dëmin e shkaktuar. Këto thjeshtë e “vrasin” më tepër besimin e publikut te politika.
Diskutime rreth kësaj post