Gjykata Penale ka lënë në burg pa afat dy autorët e vrasjes gjatë tentativës së grabitjes në Kamëz në datë 24 Prill, Vladimir Kurti dhe Rrushdi Hoda.
Kurti në tentativë grabitje vrau pronarin e marketit Agim Buci, ndërsa gruaja mbeti e plagosur. Hoda është bashkëpunëtor në krim.
Report Tv ka siguruar pamjet e dy autorëve para gjykatës Penale në Tiranë.
Autori i krimit Vladimir Kurti kishte veshur një bluzë “Gucci”, ndërsa shfaqi pendesë. Të dy ishin të braktisur nga familja, pasi asnjë pjesëtar nuk ishte i pranishëm në gjyq.
Familja e kishte denoncuar Vladimir Kurtin 5 herë në polici për dhunë në familje. Babai i Vladimir Kurtit u shpreh pas ngjarjes se e ka mohuar të birin, ndërsa kërkoi që të varet për krimin që ka bërë. Kurti dhe Hoda mbrohen nga avokatë të zgjedhur nga shteti.
Kronologjia e ngjarjes/ Përgatitja për grabitjen dhe arratisja
Pamjet filmike të automjetit të Hodës ishin prova e parë që çuan në identifikimin e të dyshuarve. Mjeti Volkswagen me targë AA 296 FK në pronësi të Rushdi Hodës u përdor për grabitjen. Sipas dosjes së prokurorisë, ka qenë Kurti që i ka thënë Hodës se do të shkonin që të vidhnin diku.
Sipas organit të akuzës, para se të shkonin te dyqani i Agim Bucit, Vladimiri i ka dhënë Rrushdiut një thikë, një palë dorashka dhe një kapuç.
Para se të futeshin në dyqan, Vladimir ka nxjerrë pistoletën, ndërsa Rrushdiu thikën duke u futur në dyqan. Vladimiri është afruar tek kasa për të marrë lekët, aty ndodhej edhe fëmija i Agim Bucit.
Autorët qëlluan Agim Bucin dhe gruan e tij. Pas ngjarjes autorët u larguan me vrap, ndërsa kanë marrë makinën duke u larguar në drejtim të Bovillës duke hedhur maskat.
Pas ngjarjes ata u shoqëruan nga policia, por më pas u liruan. Policia u ngriti një kurth pas shoqërimit, Kurti dhe Hoda u liruan dhe gjatë bisedës telefonike të përgjuar ndërmjet, 28-vjeçari i thotë mikut të tij Hoda“…i fshehe ato se, mua më morën në pyetje…”.
Disa minuta më pas të dy u arrestuan nga policia. Vladimir Kurti është një person me precedent penal, pasi më parë është dënuar për vjedhje.
Diskutime rreth kësaj post