Me formimin e Gjykatës Speciale për korrupsion, Kosova planifikon që t’i dalë përballë këtij fenomeni. Një gjykatë e tillë, pretendohet se do të trajtojë rastet me të cilat po merret Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila ekziston tash e 10 vjet.
Bazuar në Raportin e fundit të Progresit nga Komisioni Evropian, Kosova gjendet në fazën përgatitore të luftës kundër korrupsionit. Administrata e gjyqësorit është e ngadaltë dhe joefikase, ndërkaq që gjyqësori edhe me tej mbetet i ekspozuar ndaj ndikimit politik. Raporti thekson se është arritur përparim i caktuar në luftë kundër këtij fenomeni në mesin e njerëzve me pozicione të larta, por që korrupsioni edhe më tej është i përhapur gjerësisht dhe mbetet problemi kryesor në vend.
Në Kosovë, që nga shkurti i këtij viti, në vazhdim e sipër po shqyrtohet, gjegjësisht analizohet sektori i sundimit të ligjit dhe ky proces, në fund do të duhej të kontribuojë për fuqizimin e shtetit ligjor. Në analizë është duke punuar Këshilli Drejtues, të cilin e kryeson Ministria e Drejtësisë, ndërkaq që anëtarë janë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Financave, të Ministrisë së Brendshme, të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial, si dhe përfaqësuesit nga Zyra e Presidentit, nga Zyra e Kryeministrit dhe nga Universiteti i Prishtinës.
Ministri i Drejtësisë i Qeverisë së Kosovës, Abelard Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se pret që një nga rekomandimet e këtij shqyrtimi do të jetë pikërisht formimi i Gjykatës Speciale për korrupsionin, por edhe për terrorizmin, që do të merret me rastet që vijnë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
“Republika e Kosovës tash e 10 vjet ka themeluar Prokurorinë Speciale, e cila në mandatin e saj ka luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, terrorizmit. Mirëpo, nuk e kemi një panel të specializuar të gjyqtarëve që do t’i trajtonte këto lëndë, pra që të jemi edhe më efikas në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Prandaj, jemi duke e parë mundësinë e krijimit të një gjykate të tillë, që do ta quajmë Gjykatë Speciale, që do të trajtonte lëndët që vijnë nga Prokuroria Speciale, që të jemi më efikas në dënimet ndaj atyre që janë të përfshirë në afera të korrupsionit dhe lëndët që kanë të bëjnë me terrorizëm”, tha Tahiri.
Ai ka shtuar se prokurorët në Kosovë rrallëherë edhe ankohen se gjyqtarët në Gjykatat Themelore në vend nuk janë gjithmonë efikas në trajtimin e këtyre rasteve të ndjeshme.
“Gjykatat Themelore, sidomos e Prishtinës ka qenë jashtëzakonisht me punë dhe me lëndë. Nuk kanë qenë ato rezultate, të cilat i kemi pritur ne dhe shoqëria në përgjithësi. Mirëpo, Gjykatat tjera Themelore, siç është ajo e Prizrenit apo e Mitrovicës, kanë më pak ngarkesë. Mirëpo, shumica e katre lëndëve janë Prishtinë, nuk janë nëpër komunat tjera, nuk janë nëpër regjionet tjera. Prandaj, konsiderojmë që do ta lehtësonte edhe punën e Gjykatës themelore, themelimi i një gjykate të tillë”, tha Tahiri.
Procesi i shqyrtimit të sektorit të sundimit të ligjit, pritet se do të përfundojë kah mesi i vitit të ardhshëm.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, konsideron që do të ishte e mjaftueshme që të hapet një njësi speciale në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila do t’i shqyrtonte lëndët e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
“Krahas Prokurorisë Speciale do të duhej të ekzistonte një njësi speciale, e cila do të merrej me lëndët e saj. Nuk ka logjikë tash që lëndët e Prokurori Speciale të Kosovës t’i trajtojnë gjykatësit e Departamentit të Përgjithshëm apo të Departamentit të Krimeve të Rënda. Prokurorët i kanë disa përfitime, ndërkaq gjyqtarët i kanë pagat që i marrin normalisht. Është një dallim goxha i madh në të hyra (financiare) dhe gjyqtarët po e ndjejnë veten jo të barabartë”, tha Idrizi.
Në anën tjetër, përveç gjykatave, në Kosovë janë edhe një varg mekanizmash tjerë që kanë për qëllim luftën kundër korrupsionit. Në mesin e këtyre mekanizmave janë edhe Agjencia Kundër Korrupsionit, Këshilli Kombëtar Kundër Lorrupsionit pranë Zyrës së Presidentit, Njësia Speciale (task-force) për luftë kundër korrupsionit pranë Qeverisë së Kosovës.
Ish-drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosovës nuk i mungojnë institucionet dhe ligjet, sepse i ka gjykatat dhe prokuroritë në tri nivele. Por, sipas tij, ka munguar vullneti politik për të luftuar kundër korrupsionin.
“Vet formimi i Prokurorisë Speciale të Kosovës ka qenë akt politik në mënyrë që kinse t’i tregohet botës së Kosova po lufton kundër korrupsionit, duke krijuar prokurori të veçanta. Edhe pse kjo prokurori ekziston më shumë se 10 vjet, asnjë rast specifik nuk e kanë trajtuar”, theksoi Preteni.
Sipas tij, kjo prokurori e ka buxhetin e veçantë, pagat më të larta, ndërkaq, që siç thotë ai, në aktpaditë e vitit të kaluar nuk gjendet asnjë zyrtar i lartë.
Preteni thotë se edhe paralajmërimet për një gjykatë të veçantë janë pjesë e, siç e quan ai, lojës politike që po vazhdon tash e 10 vjet, për të fituar kohë dhe që nuk do të sjellë asnjë rezultat. Sipas tij, Kosovës i mungojnë prokurorë dhe gjykatës të guximshëm që t’i trajtojnë rastet e korrupsionit.
“Informacionet, janë shumë i bindur se i kanë të mjaftueshme prej qytetarëve, prej institucioneve të pavarura, nga Policia. Por, prokuroria heziton që të hapë raste. Është komplet e politizuar dhe e varur nga politika ditore”, thekson Preteni.
Pas ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, lufta kundër korrupsionit në mesin e zyrtarëve të lartë, mbetet kushti i fundit nga Bashkimit Evropian për të hequr regjimin e vizave për Kosovën.
Diskutime rreth kësaj post