Nazer Seiti, i konsideruar financieri i grupit “Habilaj” ka marrë vëmendjen e kronikës së zezë në mediat e Italisë fqinje. 41-vjeçari u ekstradua drejt Italisë fillim të vitit 2018, proces për të cilin në Shqipëri ka nisur një hetim lidhur me ligjshmërinë e tij.
Media italiane “Meridonews” që ka ndjekur çështjen që nga aksioni “Rosa Dei Venti” që çoi në arrestimin e Moisi Habilajt dhe personave të tjerë të përfshirë në trafikun e drogës Shqipëri-Itali, lidhur me zërat se Seiti është kthyer në një bashkëpunëtor të drejtësisë italiane, shkruan se kjo hipotezë nuk gjen një konfirmim zyrtar.
Megjithatë, media italiane shkruan se sipas disa raportimeve, Seiti sot duhet të takohej në orën 14 me magjistratët e prokurorisë së Catania-s, megjithatë 41-vjeçari ndodhet ende në burgun “Rebbia” të Romës. Ende nuk ka një transferim të tijin në Catania.
Media italiane shkruan se ka pyetur avokatin e Seitit lidhur me seancën që sipas raportimeve duhet të zhvillohej sot, por një gjë e tillë është mohuar nga avokati mbrojtës i Seitit, Maurizio Catalano. Ky i fundit citohet të ketë thënë se: “Seiti nuk ka shprehur asnjë dëshirë për tu penduar”.
“Meridonews” raporton se për Seitin dhe të dyshuarit e tjerë të dosjes “Rosa Dei Venti”, prokuroria ka mbyllur hetimet dhe së shpejti pritet që Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij, duke përfshirë edhe disa grosistë italianë të drogës të cilët kanë operuar në Catania, të dalin në gjyq.
Seanca e parë, me gjasë, mund të zhvillohet brenda pak javësh edhe pse data nuk është caktuar zyrtarisht, sipas të njëjtit burim.
Diskutime rreth kësaj post