Kryeministri Edi Rama ndodhet në Gjermani, ku pritet të takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel. Gjatë një intervistë për Deutsche Well, kryeministri deklaroi se Shqipëria i ka përmbushur detyrimet për hapjen e negociatave.
Shefi i qeverisë tha se shpreson se Shqipëria të mos përdoret si ‘kokë turku’ dhe të mos mbetet peng e asnjë dinamike të brendshme të vendeve të BE.
“Ne kemi marrë këtë rekomandim të qartë dhe pa kushte çka nënkupton se detyrat e shtëpisë janë bërë për këtë fazë. Tashmë është vendimmarrje bazuar në gjykimin politik dhe kur bëhet fjalë për gjykim politik ka gjithmonqë luftë sepse ka këndvështrime të ndryshme.
Por ajo që do të doja që Shqipëria mos bëhej peng i asnjë dinamike të brendshme politike dhe mos përdoret nga forcat politike apo nga individët si një lloj kokë turku për të avancuar axhendat që nuk kanë të bëjnë me atë çfarë ne kemi bërë me detyrat e shtëpisë”, u shpreh Rama.
Ndërsa i pyetur nëse ka një datë konkrete për hapjen e negociatave Rama përgjigjet se datë nuk ka, por shpreson që kjo të nisë sa më shpejt.
“KE na dha rekomandim të qartë pa asnjë kushtëzim dhe për vetë nevojën për të nisur sa më shpejt të jetë e mundur negociatat dhe për të mos humbur kohë. Pasi nuk është fundi i procesit, por është fundi i një faze dhe nisja e një faze të re”, shtoi Rama duke theksuar se sipas tij mund të nisnin edhe që sot.
Më tej Rama tha se Europa ka nevojë për Ballkanin dhe nuk duhet të shohë përtej kufijve. Kreu i ekzekutivit përmendi edhe Reformën në Drejtësi, duke u ndalur te rezultatet e Vettingut, ku tha se deri më tani 21 gjyqtarë e prokurorë të korruptuar janë jashtë sistemit. Gjithashtu, ai u ndal dhe te një tjetër arritje, që sipas tij, është çrrënjosja e kultivimit të kanabisit.
Diskutime rreth kësaj post