Gjatë natës mes të enjtes dhe të premtes, në zonën e Thumanës në Fushë Krujë, u zbulua duke u transportuar me makinë 421 kilogramë lëndë narkotike.
Gjatë këtij operacioni u arrestua Benard Hamzai, 40 vjeç nga Gjirokastra.
Mësohet se Hamzai, ka punuar si doganier në pikën e kalimit kufitar në Kakavijë dhe duket se kishte njohje të mira në radhët e policisë.
Policia bëri zyrtarisht me dije se u arrestua në flagrancë 40-vjeçari Benard Hamzai, banues në Gjirokastër.
Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e punonjësit të policisë S.O., banues në Tiranë.
Kjo pasi mbrëmjen e së enjtes, në fshatin Thumanë, Fushë Krujë, nga kontrolli i ushtruar në dy automjete u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 421 kilogramë e 450 gramë lëndë narkotike e llojit marijuanë.
Nga hetimet e kryera dyshohet se efektivi i policisë, është i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Ai dyshohet se ka dekonspiruar operacionet e policisë, duke favorizuar trafikimin e lëndëve narkotike.
Lidhur me efektivin e shpallur në kërkim, është njoftuar Drejtoria e Përgjithshme e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, e cila ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra dhe nisjen e ecurisë disiplinore për shkelje të rëndë.
Aktualisht po punohet për gjetjen e tij dhe vënien në dispozicion në kryerje të hetimeve.
Diskutime rreth kësaj post