Nga Mero Baze
Në industrinë e basteve sportive, ekziston një formë e mbrojtjes së bastit, duke vënë një bast tjetër kundër tij, me shansin që të mbrosh lekët e tua. Kur nuk je i sigurt sa del rezultati i asaj që kërkon të fitosh, merr masat që të mos humbasësh gjithçka.
Kjo është ekzaktësisht ajo që po bën Lulzim Basha sot mbasdite, me statutin e Partisë Demokratike. Edhe pse ai statut nuk ka asnjë pikë vlere, pasi ka një jetë të tërë që nuk e lexon njeri çfarë thotë, edhe pse së fundmi është përçudnuar nga vetë Lulzim Basha kur zgjodhi listën e deputetëve, tani ai ka vendosur ta shpallë atë aset personal dhe ta përdorë për të mbrojtur veten.
Përballë bastit të madh për të cilin e kanë ngarkuar demokratët të luajë kundër Edi Ramës dhe të fitojë, ai po vë një bast tjetër fshehurazi si skuth, duke ndryshuar statutin, që në rast humbje, mos të humbasë gjithçka.
Ky është fenomeni i mbrojtjes së humbjes, që në këtë rast është mbrojtje e humbjes elektorale, me statut.
Në një sallë të braktisur nga shumica politike e PD-së tradicionale, dhe vetë Sali Berisha, me një tufë anonimësh që ka sjellë vetë në PD nga kompanitë e kunatit të vet, ai po bën një gjë e cila i dëshpëron demokratët më shumë si humbje shprese, se sa si ndonjë hile kundër tyre. Ata dhe mund ta falin Lulzim Bashën po humbi, se ndoshta Salianji dhe Klevesi u duken më budallenj. Ata ndoshta as e shkojnë në mendje fare se çdo bëhet me Bashën po humbi zgjedhjet, pasi ata besojnë më shumë se Basha, se zgjedhjet mund të fitohen.
I vetmi në atë seli që e di se zgjedhjet nuk fitohen, është Lulzim Basha, dhe ai po merr masa të ruajë bythën e vet.
Të tjerët mendojnë se Lulzim Basha është duke rregulluar statutin dhe të demokratizojë partinë, duke e hapur atë, kurse ai po merr masa jo vetëm ta mbyllë partinë, por të mbrojë dhe veten nga kundërshtarët në parti.
Kjo që po ngjet sot është dëshpëruese pikërisht për disfatizmin që mbjell Lulzim Basha dhe aftësinë e tij të rrallë për t’i bërë të gjithë njerëzit e pashpresë. Dhe në kulmin e dëshpërimit të të gjithëve, në ditët kur demokratët nuk kanë asnjë ide si mund të dalin nga spiralja e humbjeve ku i ka futur ai, Basha tregohet krye-cinik duke i thirrur një mbasdite në zyrën e SHQUP të votojnë ndryshimet, që në rast humbjeje, ai të mos iki. Bëjani këtë nder dhe në rast humbje i thoni: Mos ik! Ikni ju prej tij.
Diskutime rreth kësaj post