Nga Andrea Danglli
Sa “argëtuese”! Dhjetëra burra dhe gra të veshur fisshëm kanë mësyrë nëpër ekrane televizive për të gjetur se cili është “bir ku*ve”, cili është “bir nëne” dhe cili “bir njerke”.
Mes përleshje fjalësh, “mendjet e zgjuara” të atdheut po analizojnë çdo shtrat politik se ku kanë fjetur dhe ku janë zgjuar ata që njëherë pështyhen, njëherë kafshohen, pastaj puthen, lëpihen, më vonë lëmohen, shtrëngohen dhe në fund mbushin valixhet dhe i nisin atje ku të nderojnë me titullin “bir ku*ve” nëse i çon pa gjemb në këmbë.
Kjo është tabloja e parë që më dha mbrëmja e së enjtes depresive që ca mezi e presin të vijë dhe ca mezi e përtypin të ikë.
Realisht, përpos dëshirës, sado që u përpoqa, nuk munda të kuptoj dot konkluzionet që dolën prej tyre dhe sa i shërbyen këto debate publikut shqiptar.
Jam kureshtar të di se çfarë mundi të përfitojë ai që interesohet për politikat ekonomike, iniciativat integruese, projektet kulturore, shërbimet shtetërore, implementimi i reformave, ushqimet e shportës, portofoli familjar, etj…
Për të mos folur pastaj se ç’i hyn në xhep kjo “gam-gam-ekran”, atij që numëron thërrimet e kotheres mbi tryezë dhe peshon kokën mbi duar për gjetur zgjidhjen se si mund të fshijë ndonjë radhë në listën e borxheve.
Kërkuan për birin e nënës së “mirë” dhe ndokush do mendojë që s’ka ndonjë qeder të madh, por ama duhet të kujtojmë dhe kuptojmë se misioni i Parlamentit nuk ka lidhje me zhvendosjen e karriges së deputetit nëpër studio televizive dhe hajde të bilbilosim ndonjë frazë për t’u dukur interesant. (majtas, djathtas apo qendrës qoftë)
Nuk jam aq naiv sa të mendoj se ata e kanë harruar detyrën, por ama s’mund t’i lejojmë që njëherë të veshin uniformën e politikanit, pastaj të gazetarit, pastaj të prokurorit, avokatit, gjykatësit, rojës së burgut dhe… “birit të kurv*s”.
Nëse bashkarisht do të realizonim një sondazh se sa është informimi publik mbi ligjet e miratuara së fundmi në Kuvend, unë jam i bindur që pjesa dërrmuese e popullsisë nuk e di. Disa do thuan “peshqit e mëdhenj”, ca “rekomandimi i KE-së” një pjesë “ujë, miell dhe vezë” dhe mjaft të tjerë “lironi kukësianët”.(I kuptoj)
Kjo vlen edhe për mjaft ligjvënës që ecin drejt dyerve të Kuvendit të pa informuar me teorinë e nxënësve rebelë të 9 vjeçares që “detyrat i bëj në 5 minutësh”. (Është e testuar)
Këtu nuk bëhet fjalë për faj të qytetarit të zakonshëm pasi ai/ajo ha çfarë i servir televizori dhe rrjedhimisht ngel i painformuar. Fjala është për papërgjegjshmërinë e politikës dhe medias që merren më shumë me pigmentin sesa cilësinë, më shumë me muret se sa çfarë ka brenda, më shumë me kostumin sesa me njeriun që e ka veshur.
Se cili ishte mesazhi i deputetit dhe ish-ministrit Saimir Tahiri pak rëndësi ka dhe s’përbën ndonjë interes të madh përpara çështjes së tij që duhet përpiluar me hodhësi dhe duhet garantuar që procesi i drejtësisë të përdorë një “peshore” të ngjashme me mjaft vende europiane të cilat i shohim si model.
Kjo e fundit është kryefjala që duhet të ketë çdo fjali e kësaj teme dhe jo investigimi banal për të gjetur se kush është “djali i mirë me mami të bukur”.
Debati i iniciuar për të gjetur se kush është “biri i kurv*s, i nënës dhe i njerkës” na largon tepërmi nga realiteti apo çështjet e ndezura për drejtësi të fortë, demokraci të shëndetshme dhe mirëqenie që për pjesën e gjerë të popullsisë është ku thërret e ulërin kiameti.
Logjika e ndjekur dukshëm na ka dërguar drejt situatës ku lloj-lloj gojësh e gjuhësh prodhojnë veç tym, mjegull dhe dioksid karboni që pushton edhe ato pak gjëra që po shihen qartë.
Thuhet se “ujqërit” këtë klimë duan dhe ne mirë-keq s’bëjmë dot pa ta. Duket sikur na mbrojnë kur në fakt kanë zhveshur lëkurët tona dhe presin të shqyejnë çdo kënd që i bllokon udhët. (Thjesht e vërteta)
Teksa po largohej e enjtja dhe po gdhinte e premtja i hoqa këto mendime dhe fika televizorin tim llafazan para se ai të më fikte mua! E dini? Ekrani është bir kur*ve…
P.S; E vetmja mënyrë për të mos u depresionuar nga klima politike dhe mediatike që prodhohet, është të mos e marrësh atë seriozisht. Edhe kështu mund ta luftosh sistemin që “bijtë e nënave i shndërron kaq shpejt dhe kaq egër në bij kurv*sh”.
Diskutime rreth kësaj post