Shënime të detajuara nga ish-drejtori i FBI-së, James Comey, ku dokumentoheshin bisedat e tij me Presidentin amerikan, Donald Trump, janë publikuar nga mediat amerikane. Në një nga bisedat, Trump i ka treguar Comey-t se si Presidenti rus, Vladimir Putin, i është mburrur Trumpit për bukurinë e prostitutave ruse.
Gjithashtu, në to shfaqen shqetësimet e Trump për një dosie të pisët të inteligjencës, por edhe për marrëdhënien e Presidentit me këshilltarin e atëhershëm për Sigurinë Kombëtare, Michael Flinn.Shënimet pjesërisht të redaktuara iu dorëzuan Kongresit të enjten. Ato u kërkuan nga tre kryesues të komiteteve republikane, Davin Nunes, Robert Goodleight dhe Trey Godi, javën e shkuar, me besimin se përmbajtja e tyre do të provonte se akuzat se Trump ishte përpjekur të pengonte drejtësinë, ishin të pabaza.
Akuzat lidhen me komentet e bëra nga Comey në dëshminë e tij në Kongres, sipas të cilës Presidenti i kishte kërkuar të hiqte dorë nga një hetim mbi Flinn.
Duke reaguar, Trump shkruajti në Twitter se sipas këndvështrimit të tij, shënimet e Comey-t tregonin qartësisht se nuk kishte pengim të drejtësisë.
Të tjera biseda kanë të bëjnë me shqetësimet e Trump në lidhje me akuzat me përmbajtje seksuale në një dosie të zbulimit.
Trump dhe Comey janë rikthyer përballë njëri-tjetrit këto javë të fundit. Trump e ka quajtur atë të paqëndrueshëm dhe drejtorin më të keq në historinë e FBI-së.
Ndërsa në një intervistë për BBC, Comey tha se askush përreth Presidentit nuk është në gjendje të ndalë reagimet e tij impulsive.
Diskutime rreth kësaj post