Pas plot 22 vitesh, aventurës së Arsene Wenger në stolin e Arsenalit i vjen fundi. Trajneri francez do të largohet nga topçinjtë e Londrës në fund të këtij sezoni edhe pse ka kontratë deri në vitin 2019-të me Arsenalin.
Lajmi është komunikuar nga vetë Wenger ndërsa menjëherë më pas është zyrtarizuar edhe nga klubi i Arsenalit. Për momentin skuadra londineze është në vendin e 6-të në Premier League, shumë larg zonës Champions por ka siguruar kualifikimin në gjysmëfinalet e Europa League ku do të ketë përballë Atleticon e Madridit.
Wenger me Arsenalin gjatë këtyre 22 viteve ka fituar 3 kampionate dhe 7 Kupa të Anglisë. Francezi 68-vjeçar, i cili u bashkua me Arsenalin në vitin 1996, ka shkruar një deklaratë emocionale për tifozët e klubit, duke njoftuar largimin e tij, duke u falënderuar ata për dashurinë dhe mbështetjen.
“Pas shqyrtimit të kujdesshëm dhe diskutimeve me klubin, mendoj se është koha e duhur për mua që të largohem në fund të sezonit. I jam mirënjohës klubit, që kam pasur privilegjin t’i shërbej Arsenalit për shumë vite të paharrueshme. E kam menaxhuar klubin me përkushtim dhe integritet të plotë.
Dua të falënderoj stafin, lojtarët, drejtorët dhe tifozët, që e bëjnë këtë klub kaq të veçantë. Iu bëj thirrje tifozëve tanë të qëndrojnë prapa ekipit, për të qenë në një nivel të lartë. Të gjithë dashamirët e Arsenalit duhet të kujdesen për vlerat e klubit. Dashuria dhe mbështetja ime për këtë klub do të jetë përgjithmonë”, tha ai për faqen zyrtare të Arsenalit.
Diskutime rreth kësaj post