Para disa vitesh, kur ai luante futboll, ishte njeriu që identifikonte Kombëtaren kuqezi, për shkak të parametrave fizikë dhe të qenit biond.
Igli Tare ka qenë një nga futbollistët më të njohur shqiptarë, por më i famshëm është tani, në futbollin e zyrës.
Çmime vlerësues njëri pas tjetrit, të akorduar nga njerëz me shumë peshë në futbollin italian. Drejtori sportiv i Lacios po bën bujë me blerjet e tij, duke afirmuar lojtarë të panjohur, që më pas kërkohen nga e gjithë Europa. Në një intervistë për “Supersport”, Tare ka folur për arritjet e tij me Lacion dhe natyrisht për pjesën shqiptare, duke vlerësuar kontributin e Strakoshës, Berishës dhe Canës:
“Shumë herë jam paragjykuar për faktin se kam sjellë shqiptarë në ekip. I pari ishte Strakosha, në ekipet e moshave, pastaj Cana, Berisha dhe disa djem që janë me ekipet e moshave. U kam dhënë mundësinë thjesht, sepse nuk e kam bërë kurrë diferencën ndërmjet shqiptarit apo një braziliani, për shembull.
Kam pasur gjithmonë dëshirë për t’i dhënë mundësi një futbollisti me origjinë shqiptare, sepse e di sa e vështirë është për t’u afirmuar në futbollin e niveleve të larta dhe në klube të mëdha, kështu që ato pak zgjedhje që kam bërë, besoj se më kanë dhënë konfirmimin, pasi jo vetëm që kanë nderuar fanellën e Lacios, por kanë transmetuar imazhin më të bukur të karakterit të shqiptarëve.
Një nga ëndrrat e mia është që një ditë të kthehem në Shqipëri dhe të kontribuoj për futbollin e vendit tim. Por e thëna me të bërën janë dy gjëra shumë larg njëra-tjetrës. Për t’u kthyer duhet të jenë edhe shumë kushte të përshtatshme, pasi Shqipëria është ende larg nga ku mund të jetë. Nëse do të kthehesha një ditë, do të vë në rrezik gjithçka që kam realizuar këtu, por do të më pëlqente shumë ta realizoja si sfidë’, – ka thënë mes të tjerash Tare.
Diskutime rreth kësaj post