Nga Bülent Mumay
Turqia i përngjan një buqete me lule, ngjyrat e së cilës për çdo ditë po bëhen më të zbehta. Falë një regjimi që çdo mëngjes bëhet pak më shumë autoritar, njëra pas tjetrës po zhduken ngjyrat dhe aromat e vendit.
Të arriturat demokratike dhe përpjekja më shumë se 200-vjeçare për perëndizim janë pezulluar.
Qeveria, të cilës nuk i mbeti asgjë tjetër përveçse nacionalizimi i ngritur në qiell dhe i ngjyer në salcë religjioze, nuk është e kënaqur që lulet, të cilat s’mund të krahasohen, po vyshken.
Ajo madje po i këput ato dhe po i hedh. Meqë në politikën e jashtme nuk po arrin fitore dhe përmes ekonomisë s’po arrin mirëqenie, qeveria po shfryhet kundër «gjysmës tjetër».
«Të tjerët» ajo po i shndërron në shënjestër për 50-përqindëshin e vet dhe kështu po e nxit polarizimin. Ndjenjën e lumturisë, të cilën ajo s’po mund ta arrijë me kontributet e veta, ajo po e bart te baza e vet, duke nxitur tërbimin e saj dhe duke mallkuar opozitën.
Instrumenti i përshtatshëm për këtë taktikë janë pa dyshim mediat tashmë të futura nën kontroll të plotë. Sidomos seritë nacionaliste, të cilat është urdhëruar t’i xhirojë televizioni shtetëror TRT, po shndërrohen në dokumentarë të propagandës qeveritare.
Seritë televizive, në të cilat shfaqet personalisht Erdoani dhe për të cilat ai organizon pritje në pallatin e tij me 1000 dhoma, shquhen për tiradat e heronjve, të cilat i përshtaten politikës aktuale të qeverisë. Nëse Erdoani është në konflikt me një shtet në Europë, atëherë i dërguari i atij vendi qortohet përmes një serie historike me osmanë.
Duket ashiqare se këto seri konceptohen për të konsoliduar elektoratin e AKP-së (partisë së Erdoanit), në mënyrë që të merren më shumë copa nga torta më e madhe elektorale në Turqi, nga nacionalistët. Imazhet në mediat sociale dëshmojnë se qeveria gjithsesi po e arrin suksesin e dëshiruar.
Në ditët kur emitohen seritë në mediat sociale shpërndahen me entuziazëm fotografi, në të cilat adhuruesit, të pajisur me mburojë e shpatë, shihen duke shikuar seritë.
Në skenat luftarake të ushtarëve turq jo vetëm në fushëbetejë jehojnë thirrjet «Allah, Allah», por edhe në dhomat e ditës.
Nëse luftohet kundër një ushtrie të krishterë (gjë që zakonisht është rasti), shikuesit bërtasin: «Këputjani kokën jobesimtarëve!»
Disave nuk u mjafton tundja e shpatës gjatë shikimit të armikut imagjinar. Kur e bën këtë vetëm nuk të pëlqen aq. Andaj burrat takohen në kafehanet e lagjes dhe së bashku me gëzim përcjellin «stuhinë e betejës».
Një agjenci turke e lajmeve së fundi raportoi se burrat po vishen me kostume historike të heronjve, kur e shikojnë «Dirilis: Ertugrul», serinë mbi babanë e themeluesit të Perandorisë Osmane. Në pyetjen e një reporteri se përse po e bënin këtë, ata i thanë në mikrofon: «Me këto rrobe ne ndihemi si dikur. Është sikur luftojmë ne dhe jo aktorët».
Jo vetëm në televizionin shtetëror, por edhe në kanalet private të biznesmenëve lojalë po emitohen seri, të cilat nxisin ndjenja nacionaliste. Pas çdo ofensive ushtarake turke përtej kufijve ushtarët ose policët me veshje luftarake popullojnë kanalet në «prime time».
Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një mënyrë turke të rambo-propagandës para sfondit historik, por edhe më keq: këtu faktet lakohen apo censurohen.
Nga Abdylhamiti i II-të, sulltani osman, i cili humbi më së shumti tokë, për shembull mund të dëgjohet kjo fjali: «Jetën e japim, por asnjë pëllëmbë tokë».
Në të vërtetë gjatë sundimit 33-vjeçar të këtij sulltani osmanët humbën 1592803 kilometra katrorë në Tunizi, Egjipt, Qipro, Serbi, Mal të Zi dhe Rumani, andaj kështu ata humbën praninë në Europë dhe Afrikë. Në pallatet osmane rakia s’ka munguar kurrë.
Ka sulltanë që kanë shkruar himne për verën. Por nacionalizmi i përzier me fe nuk duron më pije alkoolike, madje as përmendjen e saj. Si pasojë e klimës së krijuar nga aparati i censurës i qeverisë fjala verë mbulohet me ton tjetër në këngët, tekstet e të cilave para 1000 vitesh i ka shkruar poeti iranian Omar Kajami.
Në vendin e atyre, të cilët të gjithëve që s’janë si ata ua ndalin frymën, është vështirë të jesh artist.
Një aktore filmi u përjashtua nga puna sepse në një intervistë që e kishte dhënë para disa viteve kishte thënë: «Me qejf do të luaj rolin e një nëne të një luftëtari të gueriles». Tani askush nuk ka guxim ta marrë në punë.
Sidomos figurat nga skena e popullarizuar e kulturës po ia mbajnë anën qartë qeverisë, që të mos hyjnë në mesin e artistëve të ekskomunikuar. Gjatë vizitës bashkë me Erdoanin në një pikë kufitare ata këndojnë këngë për përkrahjen morale të ofensivës së Afrinit (në Siri).
Ata që me seri televizive rishkruajnë historinë për të zgjatur sundimin e vet, nuk duan të dëgjojnë as zëra kritikë. Përkatësisht nuk duan të dëgjohen. Kanali televiziv shtetëror TRT e emitoi kongresin e AKP-së gjatë një transmetimi prej tetë orësh.
Kongresit të Meral Akshenerit, e cila ka më së shumti shanse t’i marrë vota Erdoanit, javën që shkoi nuk iu kushtua asnjë sekondë. Televizioni shtetëror i financuar me paratë tona të taksave nuk e lë askënd të shfaqet në ekran nëse nuk i takon partisë në pushtet.
Një lajm i ditëve të fundit tregoi se nuk është vetëm televizioni shtetëror, i cili, ndonëse i financuar prej të gjithë neve, përfaqëson vetëm 50 për qind të vendit.
Në njërën nga letrat e mia të fundit pata raportuar se edhe grupi i fundit medial relativisht i lirë i vendit iu shit një biznesmeni të afërt me qeverinë.
Çka ua merr mendja, prej nga dëshiron t’i marrë shefi i ri 700 milionë dollarë për të blerë grupin medial?
Nuk e keni gabim, natyrisht nga xhepat tanë. U bë e ditur se banka më e madhe shtetërore e Turqisë, Ziraat-Bank, paratë që rrjedhin nga tatimet tona ia dha si kredi biznesmenit lojal me afat 10 vjeçar për pagesë dhe me dy vite lirim nga pagesa – në mënyrë që me tatimet tona të bëjë propagandë qeveritare.
Bülent Mumay është gazetar i pavarur turk. Ky tekst u botua në gazetën «Frankfurter Allgemeine Zeitung».
Diskutime rreth kësaj post