Daniel Ricciardo me Red Bull ka fituar sot garën e Çmimit të Madh të Kinës në Formula 1, prova e tretë sezonale e Botërorit 2018, duke korrur suksesin e parë sezonal në pistën e Shangait, i gjashti në karrierën e tij. Një paraqitje e shkëlqyer e pilotit australian, që përfitoi nga hyrja e makinës së sigurisë në pistë në mesin e garës, për të ndërruar gomat.
Për pasojë, Ricciardo i kishte më të freskëta gomat në pjesën e dytë të garës, duke nisur një seri parakalimesh, të gjitha fantastike, duke marrë kreun 10 xhiro nga fundi dhe fituar garën. Në vendin e dytë u rendit Valtteri Bottas me Mercedes, ndërsa në të tretin u klasifikua Kimi Raikkonen me Ferrari.
Një garë fantastike, emocionuese dhe me shumë parakalime, asidomos në pjesën e dytë të saj, kushtëzuar edhe nga hyrja e makinës së sigurisë, që prishi ndjeshëm ekuilibrat në pistë, me Red Bull që ishte shumë e shpejtë. Sebastian Vettel, që e nisi garën nga “pole” e mbylli atë në vendin e tetë, pas një kontakti me Verstappen dhe me makinën e dëmtuar, ndërsa Hamilton u klasifikua në vendin e pestë, në një garë anonime dhe pa grintë për kampionin e botës në fuqi.
Gara nis pa surpriza, Vettel ruan vendin e parë, por jo Raikkonen, që në start parakalohet nga Bottas e Verstappen, ndërsa Hamilton nuk bën asnjë mrekulli. Pozicionet nuk ndryshojnë deri në ndalesat e para për ndërrimin e gomave, që sjellin edhe përmbysjen e garës. Bottas hyn i pari e pas tij Vettel, por mekanikët e Mercedes janë më të shpejtë dhe finlandezi parakalon ferraristin, duke marrë kreun. Ky është momenti i vetëm emocionues deri në mesin e garës, moment kur në pistë hyn makina e sigurisë, pas përplasjes mes tyre të dy makinave Toro Rosso.
Disa pilotë përfitojnë nga situata e ndërrojnë gomat (dy makinat Red Bull), por në kryer asnjë surprizë, me Bottas që ka komandën, është i pakapshëm për Vettel. Makinat Red Bull janë më të shpejtat e tentojnë parakalimet dhe ia dalin mbanë fillimisht të kalojnë Hamilton e më pas Vettel. Ai që shkëlqen në pistë është Ricciardo, që shpejt e sheh veten në vendin e dytë, duke dueluar me Bottas. Edhe Verstappen është protagonist kur përplaset me Vettel, duke humbur pozicione (piloti i Red Bull penalizohet me 10 sekonda), ndërkohë që 11 xhiro nga fundi, Ricciardo parakalon edhe Bottas, duke marrë kreun.
Emocione edhe në xhirot e fundit, me Raikkonen që shënjestron Bottas, por pa sukses, ndërkohë që edhe Verstappen është i shpejtë, por pa mundur të shkojë më shumë se sa vendi i katërt. Ai që ka probleme në xhirot e fundit është Vettel, që parakalohet nga Hulkenberg (i gjashti) e Alonso (i shtati), duke e mbyllur garën në vendin e tetë, por mban kreun e renditjes në Formula 1. Në zonën e pikëve hyjnë edhe Sainz e Magnussen.
Diskutime rreth kësaj post