Nga Boldnews.al
Prokuroria pritet të pësojë sërish ndryshime në stafin drejtues. Pas dorëheqjes “së beftë” të kryeprokurorit të Elbasanit, Ardian Nezha, një tjetër drejtues mund t’i dorëzojë dorëheqjen shefes së institucionit, Arta Markut.
Donika Prela, drejtuesja e Prokurorisë së Durrësit, aktualisht po kalon situata të vështira. Prela, një ndër njerëzit më të besuar të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme rezulton në raportet e Shërbimit Informative Shtetëror, e dyshuar si e përfshirë në veprime korruptive. Këto informacione të SHISH janë përcjellë në Prokurorinë e Kavajës, burime nga e cila konfirmuan në mënyrë ekskluzive për “Boldnews.al” ekzistencën e tyre.
Donika Prela, një prokurore me profil të ulët publik, u emërua në krye të prokurorisë së qytetit bregdetar në Dhjetor 2017, pak ditë pasi në krye të Prokurorisë së Përgjithshme u caktua Arta Marku. Menjëherë pas marrjes së detyrës, Prela u ngarkua nga shefja e saj për të zhvilluar ato hetime, të cilat i interesojnë shefes së Prokurorisë së Përgjithshme.
Fillimisht, në Prokurorinë e Durrësit u përcoll kallëzimi i ish-drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit, Dritan Gina, i cili kallëzonte Arta Markun për “shpërdorim detyre”. Ashtu siç pritej, Prokuroria e Durrësit, e drejtuar nga Prela, nuk e hetoi aspak këtë kallëzim dhe vendosi “mosfillimin e hetimeve” për Kryeprokuroren e Përkohshme.
Më pas, Arta Marku i caktoi Donika Prelës detyrën për të “hetuar” ekstradimin tërësisht anti-ligjor të Nezar Seitaj, i konsideruar si financier i bandës së narko-trafikut “Habilaj”. Ai u ekstradua me firmën e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku dhe të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Por, Prokuroria e Durrësit ka vendosur të hetojë prokurorët, të cilët po hetojnë Habilajt, duke përjashtuar nga hetimi zyrtaret që kanë përgjegjësinë direkte, Arta Markun dhe Etilda Gjonaj.
Pas këtyre shërbimeve ndaj shefes së saj, Donika Prela rrit “piacën”. Informacione të “rrjedhura” prej saj në media, por të pakonfirmuara zyrtarisht, flasin për nisjen e hetimeve ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Ky hetim, nëse vërtetë ka filluar, rezulton të jetë tërësisht abuziv, pasi nuk figuron i regjistruar në regjistrat e Prokurorisë së Durrësit dhe as nuk është hedhur në short për caktimin e prokurorit që do të zhvillojë hetimin. Burime konfidenciale nga kjo prokurori konfirmojnë për “Boldnews.al” se në regjistrin e këtij institucioni nuk figuron ky hetim dhe as nuk është zhvilluar procedura e shortit, sipas përcaktimit ligjor.
Por nuk përfundon këtu. Në bazë të informacioneve të siguruara, rezulton se Donika Prela po kryen veprime hetimore edhe për persona të tjerë, njëlloj abuziv, pa i shënuar në regjistrin e procedimeve penale të Prokurorisë së Durrësit dhe pa i përfshirë në short procedimet penale. Këto hetime përfshijnë persona, për të cilët shefja e saj, Arta Marku, synon t’i godasë nëpërmjet firmës së Donika Prelës. Ky informacion i është raportuar edhe institucioneve kryesore shtetërore, të cilat kanë për detyrë të verifikojnë dhe monitorojnë aktivitetin e sistemit të drejtësisë, si edhe të marrin masat për veprimtari anti-ligjore.
Informacionet e Shërbimit Informativ ndoshta do të detyrojnë Arta Markun të kërkojë “dorëheqjen” e njeriut të saj të besuar, Donik Prelës, njëlloj siç u detyrua të kërkojë “dorëheqjen” e një tjetër krahu të djathtë të saj, Ardian Nezhës, tashmë ish-kryeprokuror i Elbasanit.
Diskutime rreth kësaj post