UEFA ka vendosur: Skënderbeu jashtë kompeticioneve evropiane për 10 vitet e ardhshme dhe 1 milionë euro gjobë për klubin korçar. Sigurisht, nëse gjoba është padiskutim një fije kashte në një mullar, katastrofa e vërtetë është përjashtimi dhe bllokada për t’u pasuruar dhe mbushur arkat e një skuadre që “mbijeton” në nivele të larta pikërisht nga premiot e UEFA-s dhe mundësia për të reklamuar futbollistë dhe transferuar në merkato.
E megjithatë, në gjithë këtë histori, hapi fatal është lajmi i datës 16 shkurt, pra një ditë pasi inspektorët e specializuar nga UEFA-s, belgu Karl Dhont dhe avokati spanjoll Miguel Lietard Fernandez-Palasios, kishin prezantuar zyrtarisht kërkesën për të dënuar Skënderbeun me “të paktën 10 vite përjashtim nga kupat e Europës”. Pas publikimit të lajmit se Skënderbeu rrezikon të përjashtohet 10 vite nga Kupat e Europës, UEFA doli me një komunikatë zyrtare.
Qeveria e futbollit europian denoncoi ngjarje të rënda: Inspektorët që po merren me hetimin e Skënderbeut janë kërcënuar me jetë, me telefonata anonime. Ku i kanë gjetur numrat e telefonit kërcënuesit është mister, por ndërkohë UEFA ka njoftuar policinë. Me atë rast, edhe presidenti i UEFA-s Aleksandër Çeferin ka folur për këtë çështje: “Nuk do të lejojmë që stafi ynë të kërcënohet nga palë të treta. Inspektorët kanë mbështetjen e plotë të UEFA-s dhe timen personalisht”.
Një ngjarje e rëndë e cila vulosi praktikisht vendimin final të Komisionit të Disiplinës në UEFA, që deri në atë moment ishte i lëkundur. Madje, nga ambiente brenda FSHF-së, iu frikësuan pikërisht këtij skandali, edhe pse Skënderbeu do të distancohej nga individë apo subjekte që kishin tentuar këtë rrugë për të “detyruar” UEFA-n që të tërhiqej, duke e menduar totalisht gabim. Veprime fëmijënore apo thjesht edhe ndërhyrje të jashtme, por mjaftuan për të certifikuar gjithçka.
Diskutime rreth kësaj post