Reagimet në Kosovë ndaj taksës së vendosur në Rrugën e Kombit kulmuan me pohimet e bëra nga kryeministri Ramush Haradinaj në KTV se shuma e vendosur “është e tepruar”.
Shefi i ekzekutivit kosovar u tregua mjaft i përmbajtur në komentet e tij, duke lënë të kuptohet se Prishtina zyrtare konsideron që kjo është një çështje e Shqipërisë e si e tillë, zgjidhjen duhet ta marrë brenda kufijve, por më e pakta që qeveria “Rama” duhet të bëjë në këtë rast, sipas tij, është që të rregullojë rrugën e nisur në kohën e Sali Berishës dhe ende të papërfunduar siç duhet.
“Ta bëjnë atë autorrugë se ka mbetur keq shumë. Që të kalosh nga Morina e deri diku tek tuneli është tmerr. Është e papërfunduar, ato ura, ato dynivelizime të këqija… Është e rrezikshme. Është mandati i dytë i Edi Ramës dhe duhet ta përfundojë këtë rrugë. Ka mbetur pjesa nga kufiri me Kosovën, në ngjitje të tunelit; ka mbetur pjesa kur mbërrijmë në Milot dhe pjesa deri në Vorë”, tha Haradinaj.
Taksa prek më së shumti kosovarët, thekson Haradinaj, i cili bën një llogari të thjeshtë: për shkak të mospërfundimit të rrugës, ata, sipas tij, humbin me amortizim makine e kohë, e duke i shtuar edhe 5 eurot e taksës, e gjithë kjo, për kryeministrin e Kosovës, është e ekzagjeruar.
“Për mua është e tepruar, sidomos për faktin se nuk po e shoh të jetë thënë që do ta përmbyllim këtë autorrugë vjeshtën e këtij viti. Të thuhet do vendosim kritere, mirëmbajtje dhe këtë taksë, atëherë jemi në rregull. Unë e paguaj me qejf, jo 5 euro, por sa të duash, ama mos na e lë rrugën ashtu”, deklaroi Haradinaj.
Kamionistë nga kompani të Kosovës protestuan paraditen e së mërkurës në Morinë kundër taksës që për makinat e tonazhit të rëndë, parashikohet rreth 22 euro. Po ashtu edhe të shtunën pritet protesta e radhës.
Diskutime rreth kësaj post