Prej 3 javësh, hidrocentralet mbi Lumin Drin kanë bërë shkarkime të konsiderueshme dhe e gjithë sasia e ujit ka përfunduar në Lumin Buna, lumë që ka përmbytur pjesën e Nënshkodrës. Sot shkarkimet kanë rënë ndjeshëm dhe kjo është ndjerë edhe në Nënshkodër, ku niveli i ujit ka nisur të bjerë.
Uji ka nisur të terhiqet me 20 cm nga zonat e përmbytura. Gjithashtu, tërheqja e ujit ka nisur edhe në zonat periferike të qytetit, ashtu edhe në zonen e pedonales pranë Urës së Bunës, ku një ditë më parë kishte prezencë uji.
Ndryshe nga disa ditë më parë, disa zona si rruga e Dajçit apo Velipoja, mund të kalohen edhe me automjete.
Po ashtu, kanë mbërritur edhe ndihmat e para nga jashtë vendit për zonat e përmbytura: 500 pako me ushqime dhe 18.5 ton koncentrat nga qeveria turke.
Përmbytja e deritanishne në Nënshkodër e qytetin e Shkodrës izoloi nga uji 500 shtëpi, përmbyti rreth 50 banesa e mbi 5 mijë ha tokë.
Lidhur me situatën e rëndë të përmbytjeve në Qarkun e Shkodrës, administrator i Njësisë Administrative Ana e Malit, njëra prej më të prekurave nga vërshimi i ujërave, ka bërë një deklaratë të pazakontë.
Ai ka thënë që Shkodra mund të marrë edhe autonominë.
“Shkodra me këto resurse që ka mund të marrë edhe autonominë, kështu do shkojë puna.
3 hidrocentralet janë në Qarkun e Shkodrës, kemi Thethin, kemi plazhin më të mirë në Shqipëri, Velipojën, kemi liqenin më të madh në Shqipëri dhe Ballkan po ta marrim si radhitje. Të gjitha këto janë resurse, domethënë ne s’kemi nevojë (për të qenë të varur).
Domethënë si Katalonja, të ndahemi edhe ne dhe ta menaxhojmë ne vendin tonë si Shkodër, të paktën të mos ia vëmë fajin kujt. Pse ta vëmë në siklet Kryeministrin. Ai të vazhdojë të punojë me Vjosën me Semanin, të mos merret me Drinin e këto.” – tha administratori i Anës së Malit, Arben Ceni.
Diskutime rreth kësaj post