Gjykata e Tiranës vendosi të premten të pushojë çështjen e ngritur nga anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Gjin Gjoni dhe bashkëshortja e tij për shpifje ndaj të përditshmes Shqiptarja.com dhe gazetarëve Elton Qyno dhe Adriatik Doçi.
Nga Gjergj Erebara
Pas një procesi gjyqësor tetëmujor, Gjykata e Tiranës vendosi pushimin e çështjes civile për shpifje të ngritur nga gjyqtari Gjin Gjoni dhe bashkëshortja e tij kundër gazetës së përditshme Shqiptarja.com dhe gazetarëve Elton Qyno dhe Adriatik Doçi, pasi në seancën e prezantimit të pretendimeve përfundimtare, pala paditëse dhe avokati i tyre nuk u paraqit në gjykatë.
Gjyqtarja Alma Kolgjika Hoxha, vendosi për rrjedhojë pushimin e çështjes.
“Jam i kënaqur me vendimin. Çështja dukej se u ngrit më shumë për të ushtruar presion se sa për të fituar një të drejtë. Mosparaqitja e avokatit të palës paditëse tregon se nuk e ka pasur seriozisht,” tha gazetari Elton Qyno i Shqiptarja.com pas përfundimit të gjykimit.
Gjin Gjoni dhe bashkëshortja e tij ngritën padi ndaj Shqiptarja.com dhe gazetarëve Qyno e Doçi në qershor të vitit të kaluar, me pretendimin se raportimet e tyre mbi hetimet që kanë rënduar ndaj Gjonit gjatë viteve të fundit në lidhje me pasurinë e tij, i kanë shkaktuar cënim të personalitetit dhe shqetësim. Akuzuesit kërkonin përgënjeshtrim dhe një dëmshpërblim financiar prej 2 milionë lekësh nga Shqiptarja.com dhe nga 1 milionë lekë nga secili prej gazetarëve.
Ngritja e aktpadisë është kritikuar nga organizatat e medias brenda dhe jashtë Shqipërisë si një përpjekje për të frikësuar gazetarët dhe për t’i shtyrë ata drejt heshtjes.
Gjoni ka ngritur padi gjithashtu edhe ndaj Rrjetit Ballkanik për Gazetari Investigative Shqipëri (BIRN Albania) dhe gazetarëve Besar Likmeta e Aleksandra Bodgani. Çështja ndaj tyre vijon të shqyrtohet në Gjykatën e Tiranës.
Diskutime rreth kësaj post