Një ngjarje e rëndë si nëpër filma ka tronditur qytetin e Fierit, në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku policia ka shkëmbyer zjarr me disa grabitës, duke lënë të vdekur njërin prej tyre. Ngjarja ka ndodhur në lagjen ‘29 Nëntori’, ku disa persona të maskuar dhe armatosur me pistoleta dhe automatikë kanë tentuar të hyjnë brenda shtëpisë së shtetasit Minella M., duke thyer drynin e derës.
Me të marrë njoftimin, policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje, ku është përballur me plumba nga grabitësit. Uniformat blu janë përgjigjur po me plumba, duke i marrë jetën njërit prej grabitësve dhe plagosur një tjetër, ndërsa kanë arritur t’iu shpëtojnë plumbave dhe të largohen me një makinë autorët e tjerë, që dyshohen se janë dy.
Është plagosur shtetasi Arben Muçi, rreth 35 vjeç, dhe ndodhet në spital, ndërsa nuk ka lidhje me pronarët e banesës, që është tentuar të vidhet. Policia ka ngritur postblloqe në të gjitha hyrje-daljet e qytetit dhe po vijon puna për kapjen e autorëve të tjerë.
Njoftimi i plotë i policisë
Në datën 23.03.2018, rreth orës 03:00, policia lokale u njoftua nga një telefonatë se në lagjen “29 Nëntori” Fier, pranë banesës së shtetasit M.M, disa persona kanë tentuar të hyjnë brenda shtëpisë duke thyer drynin e derës.
Pas marrjes së njoftimit mbërritën në vendngjarje shërbimet e policisë, të cilët janë përballur me disa persona të maskuar e të armatosur me pistoleta e automatikë, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësve të policisë.
Në kushtet e reagimit propocional, nga shkëmbimi i zjarrit, njëri nga autorët është plagosur dhe një tjetër ka gjetur vdekjen. Të dy ata ishin të maskuar e të armatosur me pistoleta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Autorët e tjerë, që dyshohet se janë edhe dy, duke qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë janë larguar duke përfituar nga errësira dhe kushtet e motit, me një mjet ende të paidentifikuar.
Nga rradhët e Policisë së Shtetit nuk ka të lënduar. Menjëherë janë ngritur pika të shumta kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit dhe po vijon puna për kapjen e autorëve të tjerë.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm provash materiale. Nën drejtimin e një grupi të posacëm të Prokurorisë, i cili gjendet në vendngjarje, po vazhdon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje.
Diskutime rreth kësaj post