Ka një tendencë këto kohë, sidomos pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, për të evokuar një rikthim në lidershipin e vjetër të dy partive PD-LSI. Thënë ndryshe, tek ata që duan që Berisha dhe Meta të rimarrin në dorë frenat partiake, pavarësisht se Sali Berisha është vetëdeklaruar si ish-kryetar pa asnjë ambicje për t’u ngjitur edhe një herë krye të PD, kurse Ilir Meta po shijon kafazin e artë të Presidencës, duke u marrë me punët e përditshme të një kryetari shteti.
Thirrjet për një rikthim të dy liderëve të vjetër partiakë në krye të formacioneve që i themeluan vetë shumë vite më parë, kanë të bëjnë më së shumti me perceptimin se lidershipi i ri Basha-Kryemadhi duket i pafuqishëm të përballet me qeverisjen numerikisht solide dhe psikologjisht imponuese e arrogante të Edi Ramës.
E gjithë praktika politike që fillon në parlament të enjteve, e përfundon në përplasjet nga tribunat partiake apo nga terreni, dëshmon çdo ditë se kjo përballje është e pabarabartë dhe e kurdisur në një mënyrë të tillë, që të nxjerrë përherë të njëjtin fitues: kryeministrin. Përtej marrëveshjes së anatemuar të 17 majit, e cila prodhoi një goditje të fortë depresioni gjatë verës së vitit të shkuar, si Basha, ashtu dhe Kryemadhi, shihen nga kritikët brenda dhe jashtë partive të tyre, si dy liderë që nuk do të sjellin dot në një të ardhme të afërt, ringritjen dhe rikthimin e shpresës tek populli opozitar.
Mbi këtë shtrat pesimizmi e mungese të një rrugëdaljeje drejt pushtetit, gjuha vete ku dhemb dhëmbi, siç thotë proverbi. Të kthejmë ata që dinë të fitojnë, e jo këta që nuk ja arrijnë dot. Kjo është një tezë të cilën sot e artikulojnë në mënyrë të përsëritur ish-ministra, ish-deputetë apo zyrtarë të tjerë të lartë të të dyja partive, çka tregon se ndjesia e moskthimit në pushtet dhe e humbjeve të tjera elektorale në të ardhmen, po krijon një bazë gjithnjë e më të gjerë pakënaqësish e kontestimi në katet e larta drejtuese të PD e LSI së sotme.
Basha dhe Kryemadhi përfaqësojnë sot dy cikle realtivisht të rinj lidershipi në dy partitë respektive. Ndërkohë që Lulzim Basha ka lënë pas vitin e katërt si kryetar partie, Monika Kryemadhi ndodhet ende në vitin e parë të drejtimit të LSI. Të dy krerët partiakë kanë shfaqur idetë, sjelljet dhe stilet e tyre të të drejtuarit të këtyre forcave politike.
Në një rrafsh më të gjerë historik, atyre ju ka takuar të marrin në dorë partitë pas largimit të krerëve historikë. Diçka të cilën PS e ka realizuar jo pak, por 13 vjet më parë, kur Fatos Nano u largua nga politika dhe ja la frenat në dorë Edi Ramës. Kjo vonesë jo e vogël kohore, përcakton në një pjesë të mirë edhe gjendjen aktuale të punëve në PD e LSI. Kush kujton ulje-ngritjet, problemet dhe pengesat jo të vogla që Rama hasi kur u zgjodh kryetar i PS (të mos harrojmë se ishte edhe kryetar bashkie i Tiranës), kupton edhe ujrat e turbullta në të cilat noton sot lidershipi i Bashës dhe Kryemadhit.
Natyrshëm kjo është vetëm një pjesë e problemit, pasi në cilësinë e drejtimit të sotëm të opozitës kanë të bëjnë padyshim edhe aftësitë dhe mënyra me të cilën krerët aktualë opozitarë po avancojnë në projektet e tyre politike.
Megjithatë, të kërkosh që në emër të pakënaqësisë për dy krerët e rinj të PD e LSI, këto parti të bëjnë një prapakthehu të fortë tek liderët e vjetër, pasi këta të fundit kanë ikur solemnisht nga poltronat që mbanin, ky duket një zhvillim totalisht antihistorik dhe i qepur me pe të bardhë. Kush ngazëllehet për forcën dhe karizmën e Berishës apo Metës si krerë partish, duhet të kujtojë se ishte Sali Berisha ai që humbi rëndë në zgjedhjet e vitit 2013, teksa mbante postin e kryeministrit. Ishte gjithashtu Meta, ai i cili nuk mundi ta ndalë fitoren vetmitare të Ramës verën e shkuar, megjithëse bëri një fushatë të ashpër ndaj tij, me “librezën” e presidentit në xhep.
Nëse PD e LSI ndodhen sot në pozita depresive dhe pa rrugëdalje, kjo vjen jo vetëm sepse Lulzim Basha është i butë e improvizues, apo Monika Kryemadhi e ashpër dhe pa vizion, por edhe sepse krerët paraardhës të këtyre dy partive të mëdha krijuan, bashkë me avantazhet, edhe një kosto të madhe sa mali i Dajtit, që sot rëndon mbi imazhin dhe shifrat e përkrahjes popullore.
Nëse ka një kritikë për t’i bërë lidershipit të vjetër të PD-LSI (sidomos Berishës), ka qenë shtyrja përtej cakut të lejueshëm e ciklit të rinovimit të kokës së partisë. Me fjalë të varfëra, këta krerë historikë insistuan të qëndrojnë majë kalit, edhe shumë kohë pasi duhej t’i kishin zbritur. Rikthimi tek Berisha sot përbën një menu të vjetër dhe të pangrënshme në rrafshin partiak. Një supë të ngrohur që nuk i shërben më askujt, përveçse mendjeve të ekzaltuara për tonet buçitëse të fjalimeve nëpër sheshet e mbushura me militantë. Ai ujë ka kaluar tashmë nën ura, është koha për një tjetër stil të të bërit politikë.
Sa për Metën, ai pranoi të hyjë në Presidencë duke hedhur çelësin në Lanë. Ta rikthesh kryetar LSI-je tani është më e vështirë sesa të fusësh Shqipërinë në Bashkimin Europian brenda muajit shtator!
Diskutime rreth kësaj post