Pas më shumë se tre vitesh replika dhe akuza të ndërsjellta, dhe një seance parlamentare mes tensionit dhe gazit lotsjellës, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.
Me 80 vota pro dhe 11 kundër, Kuvendi i Kosovës ka kaluar kështu marrëveshjen e cila pritet t’i hapë “dritën jeshile” liberalizimit të vizave shtetit më të ri në Europë.
Në seancën e sotme, Kuvendi u përball për më shumë se tetë orë, me protestën e deputetëve të Vetëvendosjes të cilët të paktën në 4 raste hodhën gaz lotsjellës duke bërë që seanca të ndërpritej disa herë.
Për këtë arsye u përjashtuan edhe 5 deputetë të VV-së: Xhelal Sfeçla, Fitore Pacolli, Drita Millaku, Salih Zyba dhe Liburn Aliu.
Kryeparlamentari Kadri Veseli hodhi projektligjin në votim e pikërisht në këtë moment deputetët e Vetëvendosjes sërish hodhën gaz lotsjellës. Ndonëse tentoi që votimi të përfundojë, Veseli u detyrua ta ndërpres seancën.
Demarkacioni i vijës kufitare me Malin e Zi është kthyer në mollë sherri prej kohësh në arenën politike në Kosovë, e seancë pas seancë votimi është shtyrë disa herë për shkak se nuk siguroheshin 80 votat e nevojshme për ratifikimin e marrëveshjes.
Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi e nënshkruar në Vjenë në vitin 2015 kishte krijuar një situatë të tensionuar në Kuvend dhe jashtë saj gjatë kohës që në krye të qeverisë ishte Isa Mustafa..
Pamundësia për ta çuar tutje marrëveshjen me Malin e Zi, kishin rezultuar në rrëzimin e qeverisë Mustafa.
Diskutime rreth kësaj post