Ditën e sotme do të nis marrja në pyetje e gjyqtarëve. Gjyqtari i parë që do të pyetet është Fatos Lulo, anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Karriera e Lulos në sistemin e drejtësisë është e gjatë, ndërsa më herët ka qenë dhe pjesë e Gjykatës së Lartë.
Fatos Lulo është lakuar jo pak herë në media për pasurinë e tij mjaft të lartë. Kështu në një investigim të ‘’Birn” rreth gjashtë viteve më parë Lulo rezultonte se kishte një pasuri të përbërë nga zyra, apartamente dhe para të thata prej qindra-mijëra eurosh.
Në deklarimin e pasurisë prej tij, ai ka shënuar si burim të këtyre parave të ardhurat e krijuara si emigrant në Kanada si dhe dhurata të mëdha nga e motra, Drita Lulo.
Si nisi karriera e Fatos Lulos:
Lulo u diplomua si jurist në Universitetin e Tiranës në vitet ’80 dhe shërbeu si jurist në zyrën e Kryeministrit Adil Çarçani, si dhe në Ministrinë e Punës. Nga viti 1994 deri më 1999, hapi një zyrë avokatie në Tiranë.
Në vitin 1999 ai emigroi në Kanada ku punoi si jurist në zyrën e Emigracionit të Kanadasë para se të kthehej në Tiranë më 2002 si avokat. Më 2003 u zgjodh komisionet në Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit.
Ai vijoi karrierën si avokat deri më 2006 kur u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë. Si zyrtar i administratës publike, Lulo u detyrua të deklarojë pasurinë dhe të ardhurat që nga viti 2003. Në deklaratën e parë të pasurisë më 2004, Lulo shënoi se kishte nën pronësi një apartament në Tiranë me vlerë 68 mijë euro të blerë me kursime personale dhe nga shitja e një shtëpie tjetër.
Ai kishte gjithashtu një apartament në ndërtim në Kanada me vlerë 100 mijë euro dhe një zyrë me vlerë 95 mijë euro, të gjitha të blera me fitimet e punës së tij si avokat.
Lulo deklaroi se kishte një llogari bankare në Toronto të Kanadasë me vlerë 400 mijë dollarë kanadezë, (324 mijë euro), të cilat i kishte fituar gjithashtu si emigrant. Zyra e tij avokatore në Shqipëri qe regjistruar si biznes i vogël me të ardhura më të ulëta sesa 8 milionë lekë, (58 mijë euro) në vit, por rezulton se i dha atij afro 195 mijë euro brenda pesë viteve nga 1994 deri më 1999.
Problemi me këto shifra është se ai gjatë kohës që punonte si avokat nuk deklaroi kurrë të ardhura më të larta sesa 1.2 milionë lekë në vit, (8700 euro). Deklarata se ai kurseu 400 mijë dollarë kanadezë në tre vjet punë në Shërbimin e Emigrimit në Kanada, krijoi gjithashtu dyshime. Pagat për punonjësit publikë si juristë në Kanada janë mesatarisht 60 mijë dollarë kanadezë në vit.
Më 2005, ndërsa qe ende avokat, Lulo deklaroi se i ka kthyer të motrës, Drita, një kredi me vlerë 480 mijë dollarë amerikanë. Ndërkohë, më 2008, gjykatësi mori një dhuratë nga e motra me vlerë 100 mijë dollarë dhe në vitin 2009, mori një dhuratë tjetër po nga e motra, gjithsej 172 metra katrorë zyrë në Tiranë, e cila vlen rreth 200 mijë euro.
I pyetur për të shpjeguar diferencat e stërmëdha mes kursimeve gjatë punës si avokat në Toronto dhe Tiranë dhe të ardhurave të deklaruara apo arsyet se pse motra i bënte dhurata kaq të mëdha, gjykatësi refuzoi të përgjigjet. Motra e Lulos, Drita, është një inxhiniere që punon për një kompani ndërtimi të quajtur Teknoprojekt.
Mbetet e paqartë nëse motra e Lulos ka burime të tjera të ardhurash përveç pagës së saj. Ndërkohë, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive thotë se deklaratat e dhuratave apo kredive me interes zero për zyrtarët e lartë janë një çështje shqetësuese.
“Shumë zyrtarë, veçanërisht gjykatës dhe prokurorë, deklarojnë se kanë siguruar shuma të stërmëdha parash dhuratë apo kredi, si dhe dhurata shumë të shtrenjta nga të afërm dhe familjarë”, deklaron zëdhënësi Albi Serani. Ai nënvijëzoi se rreth 10 milionë euro transferohen çdo vit për zyrtarët e lartë në Shqipëri nga palë të treta në formën e parave dhuratë apo kredive. Këto lëvizje kapitali jashtë sistemit bankar dhe i aseteve krijojnë dyshime të bazuara se në disa raste mund të kemi të bëjmë me skema për pastrimin e parave të përfituara përmes korrupsionit”, shtoi Lulo asokohe.
Rasti i tij është denoncuar dhe nga ana e Adriatik Llallës, që në periudhën në fjalë mbante postin e kreut të ILDKP-së.
Diskutime rreth kësaj post