Një 32-vjeçar është ekzekutuar rreth mesnatës së djeshme në Maqellarë të Dibrës. Autorët besohet se kanë qenë dy.
Ata e kanë thirrur në emër viktimën dhe e kanë vrarë në oborrin e vilës së tij, me tre plumba në kraharor. Viktima është Elsi Kosiqi.
Shtëpia e tij, një vilë tre katëshe, siç shihet në pamjet më poshtë ndodhet në qendër të Maqellarës, buzë rrugës kryesore. Sipas policisë autorët kanë lënë disa gjurmë në vendin e ngjarjes, çka mund të ndihmojë grupin hetimor në zbardhjen e krimit dhe identifikimin e autorëve.
Nga të dhënat e para, thuhet se Kosiqi sapo ishte kthyer nga një udhëtim i shkurtër në Maqedoni. Ai kishte parkuar makinën dhe po mbyllte portën e shtëpisë. Autorët që e kanë ndjekur nga pas e kanë thirrur në emër dhe e kanë qëlluar për vdekje.
Policia ka shoqëruar disa persona, midis tyre edhe nga ata që ishin në konflikt me viktimën. Por ende nuk ka një të dyshuar për krimin.
Burimet për ”Abc” thanë se Elsi Kosiqi kishte jetuar për vite në Itali dhe me paratë e emigracionit, bashkë me vëllezërit kishin ngritur një hotel në zonën e llixhave në Dibër.
Diskutime rreth kësaj post