Qyteti i Durresit u trondit dy dite me pare, ku nga nje sherr mes dy te rinjsh humbi jeten nje djale 16 vjec. Babai i autorit te krimit duke folur per median tregon se si mori vesh lajmi dhe cfare i tha djali per ate qe kishte ndodhur.
Ndërsa në familjen Gjokazaj dje kishte nisur kuja për 16-vjeçarin Anxhelo, vetëm rreth 300 metra më tej, në familjen Lala mbizotëronte heshtja dhe dhimbja.
Prindërit e autorit 17-vjeçar, Devi Lala, janë të shokuar nga veprimi me pasoja tragjike i djalit të tyre, ndërsa shprehin dhimbje për viktimën e tij.
Babai dhe nëna e autorit, Artir dhe Mimoza Lala, shprehen të hidhëruar, duke theksuar se ndihen njëlloj si prindërit e Anxhelos.
Me lot në sy dhe në gjendje të rënduar psikologjike, Artir Lala, babai i Devit, tregon se si e ka mësuar gjëmën dhe rrëfen bisedën që ka bërë me të birin pas krimit.
“Isha në punë dhe më morën në telefon duke më thënë se Devi kishte goditur me
xham një shokun e tij gjatë një sherri”, thotë babai i tij.
Ai tregon me tej se la punën dhe shkoi me vrap në spital për të parë djalin e plagosur duke parandjerë se diçka e rëndë kishte ndodhur. Por pas pak çastesh nga mbërritja e tij, doli mjeku dhe dha lajmin e rëndë që 16-vjeçari nuk ia doli dot…
“Shkova dhe e takova djalin për pak minuta në Polici. E pyeta çfarë bëre kështu dhe se ku e gjete thikën. Ai nuk më përgjigjej, vetëm më shikonte në sy…
Më tha se e kishte blerë thikën tri ditë më parë dhe se ishte penduar për atë që kishte ndodhur, asgjë më shumë. Jemi shumë të shokuar. Djali më shikonte në sy dhe u përlot, nuk më tha asnjë fjalë, por edhe ai ishte i tronditur”, thotë ai, duke treguar se i biri nuk është mirë nga ana psikologjike prej disa kohësh.
“Që prej tri vitesh më parë kur humbi vëllain, i cili u rrëzua nga çatia e shtëpisë dhe humbi jetën. Devi nuk është mirë (Frenki, 16 vjeç u rrëzua nga kati i tretë duke gjetur vdekjen)”, thotë babai i 17- vjeçarit.
Pritet që adoleshenti të dalë në Gjykatë nga ku do ti komunikohet masa e sigurisë. Sipas burimeve të Policisë, ai ndodhet në një gjendje mjaft të ngarkuar psikologjike si pasojë e tronditjes nga ngjarja e rëndë.
Diskutime rreth kësaj post